Analisti politik Visar Xani ka vlerësuar se Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të reja nëse partitë opozitare, veçanërisht PDK-ja dhe LDK-ja, nuk arrijnë të unifikohen dhe të krijojnë një lidership të fuqishëm.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Xani ka thënë se mungesa e një udhëheqjeje të qartë brenda partive opozitare mund t’i krijojë hapësirë kryeministrit Albin Kurti që, përmes kalkulimeve politike, ta çojë vendin në një proces të ri zgjedhor.
“PDK-ja dhe LDK-ja e kanë telashin e lidershipit. Nëse kanë një rrugëdalje dhe një pikënisje të qartë se si do të ndërtohet dhe caktohet një lidership i ri, detyra e parë e këtij lidershipi nuk duhet të jetë të merret me Kurtin, por fillimisht t’i unifikojë partitë brenda dhe të gjithë ata njerëz që janë pjesë e këtyre subjekteve politike, në mënyrë që ta shohin liderin politik që do t’u prijë dhe të cilit do t’i besojnë për idetë dhe kauzat e përbashkëta. Nëse nuk arrijnë të kenë një lider të fuqishëm dhe t’i unifikojnë partitë politike, zoti Kurti, në një të ardhme jo edhe shumë të largët, mund të bëjë kalkulime për ta çuar vendin në zgjedhje, por jo si pasojë e presionit opozitar, por si rezultat i kalkulimeve dhe interesave për ta rritur numrin e deputetëve”, ka deklaruar ai.
Xani ka vlerësuar se qeverisja aktuale është e ndjeshme për shkak të numrit të ngushtë të deputetëve që e mbështesin, duke theksuar rëndësinë e votave të deputetëve nga komunitetet joshumicë.
“E dimë që Kurti tash qeverinë e ka në një apo dy deputetë, e ata një apo dy deputetë kryesisht i mbajnë nga minoritetet. Pra, të mos harrojmë se një deputet nga partia e Nenad Rashiqit është kyç aty, sikurse edhe minoritetet e tjera që janë përcaktuese për votën dhe funksionalizimin e qeverisë”, ka thënë Xani.
Në fund, analisti ka theksuar se, duke pasur parasysh mënyrën e funksionimit politik të Kurtit, nuk mund të përjashtohet mundësia e një vere të befasishme politike dhe e një procesi të ri zgjedhor.
“Duke e njohur natyrën e Kurtit, ai nuk kënaqet me pak numra. Ka dëshirë ta ketë luksin e numrave, në mënyrë që edhe nëse dikush e kritikon apo ndërron subjekt politik, atij të mos i rrezikohet qeverisja. Prandaj, një verë befasuese mund të na presë, me proces të ri zgjedhor”, ka përfunduar Xani./teve1.info/
