Analisti politik Vesel Makolli, ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke thënë se partia gjatë gjashtë vjetëve të fundit ka vepruar nën hijen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Sipas Makollit, PDK-ja po përballet me sfidën e ndërtimit të një identiteti të ri politik përtej dy figurave që kanë përcaktuar historinë e saj për më shumë se dy dekada.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes juridike të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, duke vlerësuar se përgjigjja duhet të mbështetet në prova konkrete, argumente juridike dhe respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
“Kjo parti, në nji formë a tjetër, gjatë gjashtë vjetëve të fundit, që prej burgosjes së themeluesit të saj, Hashim Thaçit, dhe të kryetarit Kadri Veseli, ka veprue nën hijen e tyne, tue e mbajtë gjallë lidhjen me figurat dhe trashëgiminë e tyne politike. Kjo lidhje ka ndiku edhe në orientimin dhe vendimet politike të partisë.
Fatmirësisht, trupi gjykues i Gjykatës Speciale e shmangu trajtimin e UÇK-së si përgjegjëse kolektivisht për akuzat e ngrituna, tue e përqendru përgjegjësinë penale te individët për veprat konkrete që u atribuohen. Të njëjtin dallim e thekson edhe gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), sipas së cilës, gjykimi në Hagë nuk ishte kundër shqiptarëve të Kosovës apo UÇK-së si tërësi, por kundër individëve për veprat konkrete për të cilat akuzohen.
Në këtë kontekst, përgjigjja jonë duhet të jetë institucionale dhe e mbështetun në argumente juridike. Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën e Apelit kërkon përgatitje profesionale, prova konkrete dhe argumentim bindës mbi çështjet që mund të shqyrtohen në këtë fazë të procedurës. Edhe angazhimi diplomatik duhet të shërbejë për mbështetjen e nji mbrojtjeje sa ma efikase të të akuzuemve, tue respektue pavarësinë e gjykatës dhe tue shmangë përpjekjet për me e zëvendësue argumentin juridik me presion politik.
Sepse mbrojtja ma e fortë nuk ndërtohet me deklarata politike, protesta e logjikë turmash, por me prova konkrete, argumente juridike dhe respektim të standardeve të gjykimit të drejtë.
Por tash duket se PDK-ja po hyn në nji fazë tjetër.
Pas disa vjetësh tranzicioni, me ndryshime të njëpasnjishme në udhëheqje, partia po përballet me pyetjen themelore: a mundet me e ndërtue identitetin e vet politik përtej dy figurave që e kanë përcaktu historinë e saj për ma shumë se dy dekada?”, tha ai.
Makolli ka vlerësuar se dorëheqja e Bedri Hamzës dhe zhvillimet e fundit rreth Ligjit për Gjykatën Speciale mund të paralajmërojnë një kthesë të rëndësishme në PDK. Sipas tij, partia duhet të gjejë një ekuilibër mes trashëgimisë politike të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe nevojës për një identitet të ri politik, duke ruajtur njëkohësisht partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dorëheqja e parevokueshme e Bedri Hamzës dhe kërkesa e PDK-së, e drejtueme Kryetares Shiroka-Pula, për mosdekretimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, janë dy sinjale që nuk duhen neglizhue.
Ato mund të jenë paralajmërimi i nji kthese të madhe në PDK — nji rirreshtim që, me gjasë, nuk asht krejt i pavarun prej faktorit relevant ndërkombëtar.
Cezari e kaloi Rubikonin tue i besue ushtrisë së vet. Por «Cezari» i PDK-së përballet me dy sfida tjera: me e kalue Rubikonin politik pa e humbë busullën te elektorati i vet dhe te opinioni kosovar, si dhe me e ruejtë partneritetin e plotë strategjik me Uashingtonin.
Ky asht Rubikoni i vërtetë i PDK-së.
Me e kalue Rubikonin nuk do të thotë me i mohue Thaçin, Veselin apo historinë e PDK-së. Përkundrazi, do të thotë me e pranue se nji parti politike, për me mbetë e gjallë, duhet me e trashëgue të kaluemen pa mbetë peng i saj.
PDK-ja tash duhet me iu përgjigjë nji pyetjeje që shkon përtej emnave dhe figurave: çfarë partie don me qenë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm?
Nji parti e lidhun kryesisht me trashëgiminë e luftës dhe të shtetformimit, apo nji parti moderne, institucionale, që e mbron atë trashëgimi, por e ndërton identitetin e vet mbi programin, ekonominë, institucionet dhe gjeneratën e re.
Sepse historia mundet me t’i dhanë themelet, por nuk mundet me ta shkrue të ardhmen”, tha ai.
Makolli ka theksuar se PDK-ja duhet ta ruajë trashëgiminë e luftës dhe të shtetndërtimit, por pa lejuar që ajo të pengojë zhvillimin e një identiteti të ri politik.
Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e ruajtjes së partneritetit strategjik me SHBA-të, duke theksuar se interesi shtetëror i Kosovës duhet të jetë mbi interesat partiake dhe personale.
“Gjykata Speciale u krijue në rrethana të nji koordinimi të ngushtë ndërkombëtar, me përfshirjen e SHBA-ve dhe aleatëve perëndimorë. Sot, sfida asht që, përmes nji mbrojtjeje profesionale e të suksesshme në apel, të dëshmohet pafajësia e katër të akuzuemve.
Kur e krijuen Gjykatën Speciale, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi e kishin të qartë se mund të përballeshin edhe vetë me të si të akuzuem. Por, nëse vendimet e tyne u udhëhoqën nga bindja se interesi i Kosovës asht mbi gjithçka, kjo maksimë duhet të mbetet udhërrëfyese edhe sot.
Të njëjtën përgjegjësi historike duhet ta ndiej edhe «Cezari» i PDK-së. Nëse vendos me e ba hapin drejt nji identiteti të ri politik, duhet me qenë i vetëdijshëm se ky vendim kërkon guxim, përgjegjësi dhe nji orientim të qartë strategjik.
Por, ndryshe prej Cezarit të Romës, Rubikoni i PDK-së nuk asht vetëm çështje e vullnetit të brendshëm partiak. Ai lidhet edhe me raportin që udhëheqja e re do të ndërtojë me Uashingtonin.
Përkrahja amerikane nuk duhet me u kuptue si leje për me e kalue Rubikonin, as si nji vendim që merret në Uashington në vend të PDK-së. Ajo duhet me u kuptue si pjesë e nji orientimi strategjik, në të cilin interesi shtetnor i Kosovës, partneriteti me SHBA-të dhe nevoja për ripërtëritjen e partisë mund të ecin në të njëjtin drejtim.
Sfida e «Cezarit» të PDK-së asht me dëshmue se mundet me e ruejtë trashëgiminë e luftës dhe të shtetndërtimit, pa e kthye atë në pengesë për zhvillimin e nji politike të re, institucionale dhe të përgjegjshme.
Pra, Rubikoni kalohet në Prishtinë, por pesha strategjike e këtij hapi matet edhe me aftësinë për me e ruejtë besimin dhe koordinimin me Uashingtonin.
Sepse Rubikoni i PDK-së nuk kalohet tue e mohue të kaluemen, por tue e kuptue se interesi i Kosovës asht mbi interesat partiake dhe personale”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.
