Lajme

A do të lirohet Veliaj? Gjykata e Lartë nis shyrtimin e padisë, ja gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën

Gjykata e Lartë ka hedhur sot shortin për shqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjyqtari i caktuar për të shqyrtuar çështjen është Ilir Panda.

Veliaj i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, lirimin e menjëhershëm dhe shqyrtimin në themel të pretendimeve të tij, pa e kthyer çështjen për rigjykim në gjykatat më të ulëta.

Në argumentet e paraqitura, mbrojtja pretendon se çështja është kryesisht juridike dhe kushtetuese, ndaj Gjykata e Lartë ka kompetencën ta zgjidhë përfundimisht, pa qenë e nevojshme administrimi i provave të reja apo rivlerësimi i fakteve.

Sipas mbrojtjes, gjykata duhet të vlerësojë nëse masa “arrest në burg” vazhdon të jetë e domosdoshme dhe proporcionale, nëse rreziqet procedurale janë argumentuar konkretisht dhe nëse janë shqyrtuar seriozisht masa alternative të sigurisë.

See also  Edhe sot kushte atmosferike të paqëndrueshme, njihuni me parashikimin e motit!Në kërkesë ngrihet edhe çështja e mbajtjes së Veliajt në kafazin prej xhami gjatë seancave gjyqësore. Mbrojtja argumenton se kjo praktikë cenon dinjitetin njerëzor dhe bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, duke kërkuar që ai të mos mbahet në “kafaz” gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore.

Një tjetër argument lidhet me mandatin e kryebashkiakut. Sipas mbrojtjes, Veliaj është zgjedhur për një mandat katërvjeçar, nga qershori 2023 deri në qershor 2027, dhe vijimi i arrestit po e bën praktikisht të pamundur ushtrimin e detyrës. Sipas saj, kjo nuk prek vetëm lirinë personale të Veliajt, por edhe të drejtën e qytetarëve që e kanë zgjedhur për të ushtruar funksionin.

See also  Nga Dubai në rrugët e Romës dhe Milanos/ Ku ‘shtrihen’ baronët shqiptarë të drogësMbrojtja argumenton gjithashtu se kthimi i çështjes për rishqyrtim në gjykatat më të ulëta do të sillte vonesa procedurale, duke rrezikuar që një vendim përfundimtar të jepej pasi një pjesë e konsiderueshme e mandatit të ishte konsumuar, çka, sipas saj, do ta bënte të pamundur rikthimin efektiv të të drejtave të pretenduara si të cenuara.

Për këto arsye, mbrojtja i kërkon Gjykatës së Lartë të ushtrojë kompetencën e saj, të ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të Erion Veliajt.

Të Ngjashme