Diaspora mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, kështu shprehet njohësit e zhvillimeve në vend.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar duke verifikuar dhe numëruar votat në 30 përfaqësi diplomatike.
Bazuar në përditësimet e KQZ-së, deri më tash janë procesuar 13 prej 47 vendvotimeve apo 27,66%.
Fletëvotimet e numëruara deri më tash janë nga qendrat e votimit në Gjermani, në Ambasadën e Kosovës në Berlin, si dhe në konsullatat në Dyselforf, Frankfurt, Mynih dhe Shtutgart.
Në Berlin tashmë dihen rezultatet nga dy vendvotime.
Edhe ne Dyseldorf janë numëruar katër kuti.
Në Frankfurt është kryer vetëm 50%, pra njëra nga dy vendvotimet në konsullatë.
Ndërsa në Hamburg ka përfunduar numërimi i dy kutive.
Në Mynih janë përditësuar 2 prej 3 vendvotimeve, apo 66.67 për qind.
Kurse në Shtutgart kanë mbetur edhe dy vendvotime pa u procesuar.
Sipas përditësimit të fundit, janë numëruar 27.66 për qind e votave nga diaspora, ndërsa rezultatet tregojnë një epërsi të thellë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Rezultatet aktuale në përfaqësitë diplomatike janë: Lëvizja Vetëvendosje – 83.82%, Partia Demokratike e Kosovës – 7.49%, Lidhja Demokratike e Kosovës – 5.97% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 1.60%.
Procesi për votat e diasporës pritet të përfundojë gjatë ditës së premte, kështu thonë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se numërimi i këtyre votave ka nisur pasditen e së enjtes.
“Ky proces ka nisur gjatë pasdites së enjtes dhe deri në fund të ditës së enjte numri i vendvotimeve që janë numëruar dhe që i takojnë këtyre përfaqësive diplomatike është 13 nga 47. Menjëherë në mëngjes kemi filluar procesin me kutitë e tjera dhe si KQZ jemi duke u përpjekur që procesi i numërimit që i takon votimit në përfaqësitë diplomatike të arrijë të përmbyllet gjatë ditës së sotme, e premte”, u shpreh Elezi.
Ai ka folur edhe për ecurinë e procesit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku po bëhet numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
“Sa i përket procesit në Qendrat Komunale të Numërimit, pra ku është bërë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë si dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të rregullta, mund të konfirmoj se para pak çastesh kemi përmbyllur këtë proces në dy komuna, bëhet fjalë për Gjilanin dhe Prizrenin. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që kanë përmbyllur këto aktivitete është 37. Ka mbetur vetëm Komuna e Prishtinës, qendra më e madhe komunale me numrin më të madh të vendvotimeve, gjithsej 262, dhe është e natyrshme që të përmbyllet me vonë. Besojmë se ky proces do të përfundojë gjatë fundjavës që kemi përpara”, deklaroi Elezi.
Diaspora mbështetje të fuqishme ndaj Lëvizjes Vetëvendosjes
Anëtari i “Guxo”, Gazmend Halilaj, thotë se diaspora shqiptare në Evropë dhe më gjerë ka treguar vazhdimisht mbështetje të fuqishme për Lëvizjen Vetëvendosje.

Gazmend Halilaj
Sipas tij, votat nga mërgata mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shpërndarjen e mandateve.
“Votat e diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ende nuk janë numëruar, por bazuar në përvojën e zgjedhjeve të kaluara, ato pritet të kenë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e përbërjes përfundimtare të Kuvendit të Kosovës. Diaspora shqiptare në Evropë dhe më gjerë ka treguar vazhdimisht mbështetje të fuqishme për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për politikat e saj reformuese, duke e konsideruar këtë subjekt si forcën më të besueshme për forcimin e shtetit, luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik. Në zgjedhjet e 7 qershorit, pjesëmarrja e qytetarëve brenda Kosovës ishte më e ulët se në proceset e kaluara, gjë që e rrit peshën relative të çdo vote që vjen nga diaspora. Për këtë arsye, votat nga mërgata mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shpërndarjen e mandateve, sidomos në garën e ngushtë mes partive për vendet e fundit në Kuvend”, shprehet Halilaj për “Bota sot”.
Nëse diferencat mes partive mbeten të vogla, sipas Halilajt, nuk përjashtohet mundësia që një ose më shumë parti të humbin ose të fitojnë nga një mandat pas përfundimit të plotë të numërimit.
“Rezultatet paraprake tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike në vend, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë nën 37 për qind, një nivel më i ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Po ashtu, diaspora vazhdon të konsiderohet një elektorat që tradicionalisht anon më shumë drejt LVV-së. (Reuters) Kjo e bën të arsyeshme pritjen që numërimi i votave të diasporës mund ta forcojë më tej pozitën e subjektit fitues dhe të ndikojë në balancat parlamentare. Nëse diferencat mes partive mbeten të vogla, nuk përjashtohet mundësia që një ose më shumë parti të humbin ose të fitojnë nga një mandat pas përfundimit të numërimit të plotë. Pikërisht për këtë arsye, votat e diasporës nuk duhen parë vetëm si një shtesë numerike, por si një faktor që mund të ndikojë në formimin e institucioneve të reja dhe në krijimin e një shumice më stabile për qeverisjen e ardhshme. Duke pasur parasysh mbështetjen tradicionale që mërgata i ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje, pritjet janë që këto vota të kontribuojnë në konsolidimin e rezultatit të saj dhe në forcimin e legjitimitetit politik të forcës që ka marrë besimin më të madh të qytetarëve”, përfundon anëtari.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit e nxjerrin Lëvizja Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 42.9 për qind të votave, që aktualisht përkthehen në 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 21.1 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.6 për qind të votave, që aktualisht i japin 20 mandate në Kuvend.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2 për qind të votave dhe tetë ulëse parlamentare. Në përbërjen e Kuvendit përfshihen edhe 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se po presin numërimin e votave dhe është optimist sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
“Njëherë jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave, ne mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm. Duhet të keni parasysh atë që është evidente përsëri që LVV-ja është fituese e padiskutueshme, bashkë me partnerët tanë. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së njëmbëdhjetë. Unë jam optimist se gjërat do të shkojnë mbarë e mirë sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se do të angazhohen me partitë opozitare për ta zgjedhur presidentin si dhe do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me partitë e tjera parlamentare, por sipas tij, të njëjtat duhet të jenë konstruktive.
A do të ndryshojë ‘matematikat’ diaspora?
Ndërsa, analisti Eduard Gashi, banor edhe në diasporë thotë se diaspora mund të ndikojë në shpërndarjen e mandateve.

Eduard Gashi
Sipas tij, mbetet të shihet pjesëmarrja dhe ecuria e procesit.
“Votat e diasporës ende nuk janë numëruar dhe mbetet për t’u parë se sa do të ndikojnë në përbërjen përfundimtare të Kuvendit. Statistikat e zgjedhjeve të kaluara tregojnë se diaspora zakonisht voton ndryshe nga elektorati brenda Kosovës dhe për këtë arsye mund të ndikojë në shpërndarjen e mandateve, veçanërisht kur diferencat mes partive janë të vogla. Megjithatë, kjo hap edhe një debat më të gjerë. Një shtet nuk duhet të bëhet i varur politikisht nga votat e atyre që, për çfarëdo arsye, janë larguar prej tij. Arsyet mund të jenë ekonomike, familjare apo profesionale dhe secili ka të drejtën e tij për të kërkuar një jetë më të mirë. Por mbetet pyetja nëse është e drejtë që njerëz që nuk jetojnë përditshmërinë e Kosovës të kenë ndikim vendimtar mbi drejtimin politik të saj. Nga ana tjetër, askush nuk ua ka ndaluar qytetarëve që jetojnë në Kosovë të dalin në zgjedhje. Nëse pjesëmarrja ka qenë e ulët, kjo tregon një shkallë të lartë të zhgënjimit dhe mosbesimit ndaj politikës. Në demokraci, boshllëku nuk mbetet kurrë bosh; ai mbushet nga ata që mobilizohen dhe votojnë”, shprehet Gashi për “Bota sot”.
Sipas tij, priten zhvillimet interesante dhe rezultatet përfundimtare do të japin përgjigjen.
“Prandaj problemi kryesor nuk janë votat e diasporës, por fakti që shumë qytetarë brenda Kosovës nuk besojnë më se vota e tyre mund të sjellë ndryshim. Në fund, mbetet për t’u parë nëse votat e diasporës do të ndryshojnë vetëm ndonjë mandat apo do të ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e institucioneve të reja. Gjithsesi, zhvillimet mbeten interesante dhe rezultatet përfundimtare do të japin përgjigjen”, përfundon Gashi për “Bota sot”.
