Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1 ka folur për mundësinë që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të propozohet për president dhe qëndrimin e mundshëm të LVV-së ndaj kësaj çështjeje.
Ai tha se çdo vendim në këtë proces varet nga rrethanat politike dhe se fillimisht duhet të përcaktohen parimet, kriteret dhe standardet e procesit.
“Nuk është çështja se a është i pranueshëm. Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë për principet e këtij procesi, të vendosim kritere e standarde, natyrisht edhe kufizime. Më herët nuk kanë qenë këto rrethana dhe nuk jemi në rrethana të njëjta”, tha Rrustemi.
Ai shtoi se situata aktuale politike nuk është e krahasueshme me periudhat e mëhershme.
“Rrethanat janë të rëndësishme dhe e determinojnë një proces. Nuk janë rrethanat e njëjta në asnjë syshim, sepse janë të pakrahasueshme”, u shpreh ai.
Rrustemi tha se LVV ka qenë e gatshme për bashkëpunim edhe më herët, por sipas tij LDK nuk ka pranuar marrëveshje për koalicion.
“Ne kemi qenë të gatshëm vitin e kaluar. Nuk do të kishte pasur nevojë për zgjedhjet e 28 dhjetorit nëse LDK do të ishte e gatshme për koalicion qeverisës. Ajo e refuzoi koalicionin”, tha ai.
Ai shtoi se aktualisht LVV ka vota të mjaftueshme për formimin e institucioneve dhe se diskutimet politike do të vazhdojnë.
“Në aktualitet, në kuptimin e votave, ne kemi mjaftueshëm për Kuvendin dhe Qeverinë. Nuk e di cila është gatishmëria e LDK-së për partneritet. Diskutimet do të vazhdojnë si me LDK-në ashtu edhe me PDK-në”, tha Rrustemi.
