Lajme

A mund të zhbëhet Specialja dhe të amnistohen të dënuarit? Flet ish-eprori i UÇK-së

Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar të hënën deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Deklarata, e lexuar në seancë nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, kishte marrë paraprakisht mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës dhe Grupit Parlamentar Multietnik.

Në votim, deklarata mori 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në të njëjtën kohë, në Kuvend është rikthyer debati për ndryshimin e ligjit mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës. Nisma është paraqitur javën e kaluar nga PDK-ja, pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, me dënime që në total arrijnë në 81 vjet burgim.

Projektligji i propozuar nga PDK-ja parasheh kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara në veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, edhe pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Një tjetër ndryshim lidhet me periudhën kohore që mbulon juridiksioni i Speciales. PDK-ja propozon që ajo të ndryshohet nga periudha janar 1998 – dhjetor 2000, në periudhën 1 korrik 1999 – dhjetor 2000.

Nisma parasheh edhe që dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Po ashtu, PDK-ja kërkon që dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të ekzekutohen në Kosovë dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Nismës së PDK-së i ka dhënë mbështetje Aleanca.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në pushtet, ka deklaruar se fillimisht do ta shqyrtojë projektligjin nga aspekti juridik.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në anën tjetër, ende nuk ka bërë të ditur një qëndrim zyrtar për këtë nismë.

Kështu, përderisa deklarata e përbashkët për aktgjykimin në Hagë u miratua me konsensus të gjerë në Kuvend, propozimi për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara pritet të hapë një debat të ri politik dhe juridik mes partive.

Ish- agjenti i SHIK-ut dhe ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, e konsideron këtë deklaratë humbje kohe.

Sipas tij, Gjykata nuk mund të zhbëhet pa e kërkuar zyrtarisht BE dhe SHBA, ndërsa qëllimi që t’i amnistojë presidenca më vonë as me ligj ekzistues nuk mund të bëhet.

“Deklarata është vetëm humbje kohe, më shumë ka karakter folklorik dhe sidomos PDK-ja, e cila është fajtori kryesor që kemi këtë gjykatë sot, po tenton ta pastrojë vetveten si Pilati kur i lau duart pasi e kryqëzoi Jezusin e Nazaretit. Gjykata as që zhbëhet sot pa e kërkuar zyrtarisht Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, ndërsa qëllimi që t’i amnistojë presidenca më vonë, as me ligjin ekzistues nuk mund të bëhet dhe nuk kthehet më koha kur Hashim Thaçi kishte fuqinë e një perandori: ishte president, ishte kryeministër, ishte kryetar parlamenti, ishte ministër i Drejtësisë e ishte edhe kryeprokuror… I falte, i lironte kriminelë e dostat e tyre të dënuar për vrasje, ndërsa kur nuk ke pasur armik, je dënuar e ndjekur pa kurrfarë të drejte ligjore e njerëzore”, deklaron Miftari për “Bota sot”.

Miftari komenton edhe deklarimet që kjo gjykatë është serbe e ruse, gjë që sipas tij, do të duhej të shpalleshin tradhtarë deputetët që e kishin votuar.

“Kosova duhet ta apelojë vendimin e gjykatës, kaq me rëndësi. Ligji për krime kundër njerëzimit është rrëzuar, të tjerat janë më me pak dëme, por me rëndësi është se UÇK-ja nuk ka kryer krime as kundër njerëzimit, as të luftës, por ka individë e grupacione, klane që e kanë shfrytëzuar luftën, e kanë shfrytëzuar edhe uniformën e UÇK-së për t’i arritur qëllimet e tyre kriminale…!

Gjykata Speciale është formuar nga Parlamenti i Kosovës, po dëgjoj sot patriotë me bateria e multimilionerë të korrupsionit e disa profiterë të luftës po thonë se kjo gjykatë me Dhomat e Specializuara në Hagë është gjykatë serbe e gjykatë ruse, por kjo është një rren, pasi po të ishte ashtu, atëherë sot në Kosovë do të duhej së pari të dënoheshin të gjithë 84 deputetët e Kuvendit të Kosovës si tradhtarë, si dorë e zgjatur e Serbisë e Rusisë. Tek tani ke të drejtë ta quash GJSPK-në gjykatë serbo-ruse”, thekson ish- eprori.

Sipas Miftarit, asnjë luftëtar e komandant i UÇK-së as nuk akuzohet, as nuk dënohet pse ka bërë luftë të pastër dhe ka luftuar për lirinë e popullit tonë.

Në fund, ai kërkon që Kosova të formojë një komision të pavarur hetues për gjurmim e studim të ndikimit sekret të UBD- KOS-it serb.

“Gjykatësit, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët janë amerikanë, janë evropianë, janë zviceranë… Asnjë njeri, individ, nuk dënohet pa fakte, pa dëshmi. Asnjë luftëtar e komandant i UÇK-së as nuk akuzohet, as nuk dënohet pse ka bërë luftë të pastër dhe ka luftuar për lirinë e popullit tonë.

Kosova, si shtet, duhet ta formojë një komision të pavarur hetues, ta gjurmojë e studiojë ndikimin e madh të shërbimit sekret të UDB-KOS-it serb dhe shërbimin sekret pro-serb, shërbimin DGSE francez, disa individë kryesorë të UÇK-së politike si vetë Hashim Thaçi duhet të japin shpjegime: ku ishte, kush i solli dhe qëllimin pse i sollën pas luftës në pushtet, pasi pothuajse gjatë luftës, rastësisht apo jo rastësisht, u vranë pothuajse të gjithë komandantët kryesorë të luftës, komandantët e UÇK-së, komandantët e betejave. Pse nuk u vra asnjë komandant i Hotel Rognerit apo pse nuk është vrarë asnjë komandant i Fondit “Vendlindja Thërret”, që pas luftës të gjithë u bënë multimilionerë e politikanë…?”, përfundon Miftari.

Të Ngjashme