Lajme

A po mblidhen nënshkrime në LDK për Kuvend të jashtëzakonshëm? Flet Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, tha për media se do të përgjigjet pozitivisht në ftesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Abdixhiku para mediave tha se LDK në këtë takim do të flasë për parime dhe se duhet të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha veprimet për formimin e institucioneve duke shtuar se brenda kësaj gjithëpërfshirjeje duhet të ketë balancë mes palëve që i formojnë ato.

“Ne do të flasim për parime fillimisht, parimet e LDK-së i kemi bërë publike që duhet të flasim për një trajtim gjithëpërfshirës të institucioneve, brenda kësaj gjithëpërfshirjeje të ketë balancë mes palëve që i ndërtojnë institucionet”.

I pyetur rreth lajmeve për nënshkrimet potenciale brenda LDK-së dhe ndryshimet e mundshme në këtë parti, ai tha se në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim.

Abdixhiku shtoi se LDK ka mbajtur së fundmi Kuvendin e 31 janarit, teksa potencoi se zgjedhjet e radhës brenda partisë do të mbahen në vitin e ardhshëm.

“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tani, proceduralisht janë të lirë 1/3 e delegatëve të Kuvendit kurdo që duan për thirrje të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së. Përmbajtësisht për ne zgjedhjet e rregullta të LDK-së mbahen në afate të rregullta, ato janë në vitin e ardhshëm, nuk ka distancë të largët kohore dhe për më tepër përmbajtësisht LDK ka dalë prej një Kuvendi të 31 janarit dhe një parti serioze nuk matet kur një pakicë çfarëdo qoftë ajo dëshiron të mbajë kuvende, por sa i respekton vendimet e veta”, u shpreh kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Të Ngjashme