Raporti mes Soni Malajt dhe Flori Mumajesit vijon të jetë një nga temat më të komentuara të këtij edicioni të “Ferma VIP”. Një surprizë e veçantë me 300 dronë, që ndriçuan qiellin e fermës, ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes dy artistëve.
Gjatë spektaklit të së premtes, moderatorja Arbana Osmani e pyeti Sonin nëse e kishte pritur një gjest të tillë nga Flori. Këngëtarja u shpreh se ai ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në jetën e saj, ndërsa theksoi se të dy kanë preferuar ta mbajnë jetën private larg vëmendjes publike.
“Unë gjithmonë e kam pasur të nevojshme mbështetjen e Florit. Pa diskutim ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Si ai, edhe unë, jemi persona shumë diskretë. Prisja ndoshta diçka të vogël, por jo aq të madhe”, tha ajo.
Soni nënvizoi gjithashtu se respekti mes tyre ka mbetur i pandryshuar ndër vite, pavarësisht spekulimeve dhe aludimeve që kanë qarkulluar në media.
“Ne kemi një respekt reciprok për njëri-tjetrin. Pavarësisht aludimeve që mund të jenë bërë në publik apo në media, ne e kemi mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin”, u shpreh këngëtarja.
Momenti që tërhoqi më shumë vëmendje erdhi kur Arbana zbuloi se Flori e ndjek rregullisht programin. E pyetur se çfarë mesazhi do t’i dërgonte, Soni la të kuptohej se surpriza mund të kishte një domethënie më të thellë për të.
“Unë besoj që në një marrëdhënie hapat pak më të rëndësishëm duhet t’i marrë mashkulli. Ai gjërat nga ana ime i di, kështu që nuk kam çfarë t’i them”, deklaroi ajo.
Më tej, kur u pyet nëse do të ishte e hapur për një mundësi të dytë në raportin me kantautorin, Soni iu referua me humor një bisede të mëparshme.
“I thashë Mozës që ndoshta pleqëria është më e ëmbël për t’u kaluar bashkë”, tha ajo me buzëqeshje.
Në fund të diskutimit, këngëtarja shkaktoi të qeshura në studio me pyetjen drejtuar produksionit:
“Tani vetëm një pyetje kam. Unë kam hyrë në fermë me statusin ‘single’. Unë nuk quhem më ‘single’ tani, që ta di? Merrni një konfirmim nga Flori, se mos na hyn ndonjë fermer dhe ku i dihet.”
Megjithatë, Arbana Osmani sqaroi se surpriza me dronë ishte thjesht një shenjë mbështetjeje dhe jo një deklaratë zyrtare për një rikthim të mundshëm mes tyre.
Edhe Moza nuk i kurseu batutat, duke e ngacmuar Sonin me fjalët: “Mos u gënje nga një dron, thuaj të vijë vetë këtu”.
Ndërkohë, momenti është bërë viral në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë reaguar me humor dhe ironi. Një nga komentet më të shpërndara ishte: “Po Flori a e di që i ka dërguar dronë Sonit?”, duke reflektuar dyshimet dhe kuriozitetin e publikut për natyrën e vërtetë të kësaj surprize.
