Lajme

Pacolli: Të mbrojmë tokat bujqësore dhe hapësirat e gjelbra për brezat e ardhshëm

Kosova e së ardhmes ndërtohet përmes vendimeve të përgjegjshme të së sotmes.

Sot u mbajt Simpoziumi Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”, i organizuar për herë të parë në Kosovë në këtë nivel, duke bashkuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve, akademisë, odave profesionale dhe partnerëve zhvillimorë, me qëllim të krijimit të një perspektive të përbashkët për zhvillimin e territorit të vendit.

Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat kryesore të planifikimit hapësinor, përfshirë zgjerimin e pakontrolluar të qyteteve, mbrojtjen e tokave bujqësore, ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe nevojën për një zhvillim të qëndrueshëm e të harmonizuar me mjedisin.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, theksoi rëndësinë e kalimit nga planifikimi formal drejt zbatimit konkret të planeve, duke nënvizuar se sfidat e trashëguara dhe nevojat e reja demografike kërkojnë një qasje më të përgjegjshme, afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse.

Përmes Vizionit Hapësinor të Kosovës 2050, synohet të krijohet një bazë e qëndrueshme për zhvillim të organizuar, infrastrukturë funksionale, qytete më të jetueshme dhe mbrojtje më të mirë të burimeve natyrore.

Kosova e vitit 2050 fillon me përgjegjësinë tonë sot. Me vizion të qartë, planifikim afatgjatë dhe zbatim të qëndrueshëm, mund të ndërtojmë një të ardhme ku zhvillimi ecën krah për krah me mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Simpoziumi u organizua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë Zvicerane, përmes GIZ Kosova.

Të Ngjashme