Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar dhe nderuar jetën e veprën e ish-deputetit Agim Kikaj, në 9 vjetorin e vdekjes.
Abdixhiku shkroi se ndarja e tij nga jeta ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të vendit.
“Sot, përkujtojmë dhe nderojmë Agim Kikajn, jeta dhe vepra e të cilit ishte e mbushur me plotë sfida dhe sakrifica në rrugën e mundimshme për liri dhe pavarësi. Ai ishte angazhuar herët në veprimtarinë atdhetare e politike; në orët e rënda për vendin iu bashkua vargut të veprimtarëve të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Figura e tij patriotike, politike dhe mbi të gjitha njerëzore është unikate.
Për gjatë jetës së tij shërbeu si kryetar komune në Podujevë, deputet për disa mandate, derisa vdekja e papritur na goditi të gjithëve pasmesnatën e datës 18 maj 2017.”
Ndarja e Agim Kikajt ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike të vendit tonë. Kosova humbi një njeri të mirë, një figurë të jashtëzakonshme që i shërbente ndërtimit të institucioneve demokratike tonat dhe kishte për synim fuqizimin e tyre.”
Në fund, ai tha se Kilaj do të kujtohet “me çiltërsinë, modestinë dhe afërsinë me njerëzit që e rrethonin; të gjithë e kujtojmë me nostalgji për batutat dhe humorin e tij.”.
“Lavdi jetës dhe veprës së Agim Kikaj!”
