Lajme

Ibrahimi: Raporti i BE-së konfirmon shqetësimet e komunave, duhet të ketë koordinim të nivelit qendror me atë lokal

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga qeveria që rekomandimet e Komisionit Evropian për Kosovën, në raportin e progresit për vitin 2026, të përkthehen në veprime konkrete, me fokus në financimin dhe respektimin e autonomisë komunale.

Në një deklarim për median, kreu i këtij qsociacioni, Sazan Ibrahimi, ka thënë se raporti i Komisionit Evropian përforcon shqetësimet e vazhdueshme të AKK-së lidhur me financimin, pronën publike dhe kompetencat e komunave.

Ai ka veçuar ridrejtimin e mjeteve të destinuara për investime kapitale drejt shpenzimeve rrjedhëse në arsim dhe shëndetësi, duke vlerësuar se kjo praktikë dëmton projektet lokale dhe cenon autonominë financiare të komunave.

“Ridrejtimi i mjeteve kapitale për shpenzime rrjedhëse në arsim dhe shëndetësi dëmton projektet lokale dhe cenon autonominë financiare”, ka deklaruar Ibrahimi.

Sipas tij, gjetjet e raportit e përforcojnë kërkesën e AKK-së që qeveria të mbulojë detyrimet që dalin nga kontratat kolektive, si dhe nevojën për krijimin e grantit të katërt për investime kapitale.

“Komisioni Evropian rekomandon drejtpërdrejt edhe grantin specifik për shërbime sociale, kërkesë e vazhdueshme e AKK-së për financim të qëndrueshëm të këtyre shërbimeve”, ka thënë ai.

Drejtori ekzekutiv i AKK-së ka ngritur shqetësime edhe për centralizimin e menaxhimit të pronës publike dhe mungesën e koordinimit të rregullt ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

“Shqetësimet për centralizimin e menaxhimit të pronës publike dhe koordinimin kryesisht reaktiv ndërmjet nivelit qendror dhe lokal kërkojnë respektim të kompetencave komunale dhe dialog të rregullt”, ka deklaruar Ibrahimi.

Në këtë drejtim, AKK-ja i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e investimeve komunale, sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe respektimin e pronës dhe kompetencave të komunave.

“AKK-ja kërkon veprime konkrete nga qeveria: mbrojtje të investimeve, financim të qëndrueshëm dhe respekt për pronën dhe kompetencat komunale. Mbrojtja e autonomisë lokale është mbrojtje e interesave të qytetarëve”, tha Ibrahimi.

Të Ngjashme