Lajme

Abdixhiku mohon se janë deponuar 150 nënshkrime për shkarkimin e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mohuar se deri më tani janë dorëzuar nënshkrime për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, në të cilin do të kërkohej shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të partisë.

Duke folur para mediave, Abdixhiku i ka cilësuar si të njëanshme nismat për largimin e tij dhe tha se debatet e brendshme nuk i shërbejnë unitetit të LDK-së.

“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tash. Do të doja që LDK-ja të merrej sa më pak me çështje që e ndajnë partinë. Nuk e dëshiroj ndarjen e LDK-së. Kemi mbajtur Kuvend para pak kohe dhe nisma të tilla të njëanshme nuk i bëjnë mirë LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.

Në anën tjetër, anëtari i LDK-së, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime që kërkojnë mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm.

Ai ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë janë shprehur qëndrime të ndryshme, duke filluar nga kërkesat për zgjedhje të parakohshme brenda partisë deri te mbështetja që Abdixhiku të vazhdojë ta udhëheqë LDK-në.

“Unë i takoj një dege që në mënyrë unanime ka kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe reflektim për procesin zgjedhor të qershorit në të gjitha strukturat e LDK-së, duke filluar nga kryetari e deri te nëndegët. Janë më shumë se 150 nënshkrime që kërkojnë mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm”, ka thënë Zemaj.

Ndryshe, sipas Statutit të LDK-së, pas dorëzimit të një kërkese të mbështetur nga të paktën një e treta e delegatëve, Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të thirret brenda 60 ditëve.

Abdixhiku ishte përballur me një votëbesim edhe më 31 janar të këtij viti, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, kur LDK-ja kishte siguruar 13.24 për qind të votave.

Ai e kaloi atë proces, por pakënaqësitë brenda partisë u rikthyen pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ndonëse LDK-ja shënoi rritje prej 3.45 pikë përqindjeje, debatet e brendshme u intensifikuan, veçanërisht për shkak se listës zgjedhore i priu Vjosa Osmani, e cila ishte larguar nga partia në vitin 2020.

Të Ngjashme