Lajme

Agim Veliu refuzon të jetë pjesë e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit

Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Podujevë, Agim Veliu, ka deklaruar se refuzon të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në një reagim në Facebook, Veliu ka theksuar se nuk largohet nga LDK-ja, duke e cilësuar atë si pjesë të pandashme të jetës së tij politike që nga themelimi i partisë.

Megjithatë, ai ka shtuar se nuk pranon “të përdoret” dhe të jetë pjesë e një projekti që, sipas tij, e largon partinë nga identiteti i saj institucional dhe shtetformues.

Ky reagim vjen pas deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte thënë se nominimi i Veliut për kandidaturë përfaqëson vullnetin e anëtarësisë dhe një hap drejt “bashkimit të madh” të partisë.

Në deklaratën e tij, Veliu përmendi zhvillimet e brendshme në parti, duke kritikuar mënyrën e menaxhimit të procesit të nominimeve dhe duke thënë se vendimet e mëhershme për moskandidimin e tij tani janë ndryshuar pa konsultim paraprak.

Ai ka shtuar se, pavarësisht refuzimit për të qenë pjesë e listës zgjedhore, mbetet i përkushtuar ndaj LDK-së, duke shprehur bindjen se partia do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë shtetformuese.

“Unë nuk largohem nga LDK-ja, por refuzoj të jem pjesë e një projekti që e largon atë nga identiteti i saj,” thuhet në deklaratën e tij publike.

Të Ngjashme