Lajme

Dy shqiptarë dhunuan keq një burrë me shufër metalike në Itali, pamjet e kamerave zbulojnë identitetin e tyre

Dy shtetas shqiptarë janë identifikuar nga policia italiane pasi dyshohet se janë autorë të një sulmi të dhunshëm ndaj një burri, pranë stacionit hekurudhor të Faenzës, në provincën e Ravenna-s në Itali.

Mediat italiane shkruajnë se, ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e vonë të 26 tetorit, kur dy personat dyshohet se kanë sulmuar viktimën me një shufër metalike, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Për shkak të plagëve të marra, ndaj burrit është kërkuar ndërhyrja e shërbimit të urgjencës 118. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, atij i është dhënë një prognozë prej pesë ditësh.

Hetimet nisën menjëherë pas raportimit të ngjarjes nga efektivët e komisariatit të policisë së Faenzës. Megjithëse autorët nuk u gjetën në vendngjarje, policia mblodhi prova dhe dëshmi për të rindërtuar dinamikën e sulmit.

Pika vendimtare për zbardhjen e rastit ishte analiza e pamjeve të kamerave të sigurisë, të instaluara brenda dhe përreth stacionit hekurudhor. Duke krahasuar pamjet filmike me të dhënat e mbledhura në vendngjarje, hetuesit arritën të rindërtonin lëvizjet dhe dinamikën e plotë të agresionit, si dhe të identifikonin dy personat e dyshuar, të cilët rezultuan me shtetësi shqiptare.

Në përfundim të hetimeve, të dy janë referuar në gjendje të lirë në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Ravenës, nën akuzën e plagosjes së rëndë në bashkëpunim. Procedimi penal ndaj tyre vijon, ndërsa përgjegjësia përfundimtare do të përcaktohet nga organet e drejtësisë./Top Channel

Të Ngjashme