Lajme

AGK-ja dënon gjuhën e Kurtit ndaj mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi të premten ka thënë se e sheh me shqetësim gjuhën e përdorur nga kryeministri Albin Kurti ndaj mediave.

Në një takim të partive socialiste në New York, Kurti ka thënë se regjimet e vjetra po shpërndajnë para te mediat e caktuara për të shpërndarë dezinformata.

AGK-ja në reagim ka thënë se Kurti po përpiqet ta minojë kredibilitetin e mediave në Kosovë pa fakte e argumente.

“AGK-ja e sheh me shumë shqetësim një përpjekje të tillë të papranueshme për të minuar kredibilitetin e mediave në Kosovë pa asnjë fakt dhe argument, duke hedhur akuza drejt mediave se “paguhen nga regjimet e kaluara” për kinse prodhimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave lidhur me Byronë për Verfikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme”, thuhet në reagim.

AGK-ja i ka kujtuar Kurtit se në raportin e fundit të “Reporterëve pa Kufij”, Kosova ka pasur rënie prej 19 vendesh.

“Në raportin e fundit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendesh sa i përket lirisë së shtypit, andaj ftojmë Kryeministrin Albin Kurti të përmbahet nga fushata të tilla dhe nga paralajmërimet e tij politike për përndjekje dhe mësymje ndaj mediave e gazetarëve mbi aludime të pa argumentuara, gjë që e përkeqëson edhe më tej situatën në vend sa i përket lirisë së medias dhe ambientit të të bërit gazetari. Problematizimi i çështjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme, për të cilat pretendon kryeministri Kurti, nuk bëhet në asnjë mënyrë duke cenuar rëndë dhe pa asnjë argument kredibilitetin e mediave, si një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë në vend”, thuhet tutje në reagim.