ShowBizzz

Agron Llakaj i kthehet pas 16 vjetësh “Portokallisë”, tashmë në krye të spektaklit të humorit në Top Channel

Pas një mungese 16-vjeçare, Agron Llakaj rikthehet në skenën e “Portokallisë”.

Të lidhura

None found

Humoristi tani vjen në një rol të ri, duke marrë drejtimin e spektaklit më të madh të humorit në vend. Përveçse moderator, ai do të interpretojë edhe si aktor në teatrin e Top Channel.

“Me përkrahjen e Lorit dhe të Top Channel, besoj se i kemi të gjitha mundësitë që ‘Portokallia’ të rifitojë shpirtin e atij që e krijoi, që i dha këtë emër kaq të veçantë. Unë isha i pari që erdha, dhe ky kthim imi është si rikthimi i Odisesë… por unë s’jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj. Mendoj se e qeshura sjell dashuri e ky është një mision tejet i rëndësishëm për kohën që jetojmë, ku besoj se ka shumë urrejtje,” tha Agron Llakaj.

Me dekada përvojë në skenë, ai premton risi dhe të papritura, të cilat do ta mbajnë publikun të ngjitur para ekranit çdo të diel dhe do të mbushin sallën e teatrit më të madh të humorit, që në këtë sezon do të transmetohet drejtpërdrejt çdo të premte.

“’Portokallia’ është sot e vetmja shtëpi e humorit në Shqipëri dhe krahas kontributeve dhe energjisë që kanë dhënë aktorët, ardhja ime nuk është një nisje nga zero, por një bashkim forcash. Shkëlqimit që të fal Top Channel, unë i sjell energjinë dhe përvojën time që ai shkëlqim të rritet më tepër. T’i rikthehemi publikut që duhet të na vijë javë pas jave, duke mbledhur së bashku të gjithë brezat që kërkojnë një humor cilësor,” shtoi artisti.

Nëpërmjet satirës, skeçeve, situatave komike dhe një larmie personazhesh, “Portokallia” do të pasqyrojë problematikat dhe ritmin e vrullshëm të ngjarjeve brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë publikun të qeshë, por edhe të reflektojë.

“Humori është vëzhgues i realitetit. Nuk ka pak halle Shqipëria, ‘lënda e parë’ është që ne të gatuajmë një gjellë cilësore. Sa i përket politikës botërore, që në castin që mbërrita, sinjali i ka shkuar Trumpit. Ai e pranoi mirë, mendoj se do të kemi një bashkëpunim të frytshëm me Amerikën. Ai donte ta quanim ‘Orange’, por unë ngula këmbë ta quajmë ‘Portokalli’,” tregoi Llakaj duke qeshur.

Sezoni i ri do të sjellë gjithashtu fytyra të reja. Çdokush që zotëron talent në aktrim, imitim apo në të shkruajtur skeçesh mund të aplikojë në audicionet që do të zhvillohen nga data 2 deri më 16 shtator.

“Ata do të vijnë dhe do të kenë hapësirën e tyre, që do ta quajmë ‘dritarja e talentit të ri’. Nëse deri në muajin dhjetor do të dëshmojnë talent dhe fuqi për t’u bërë pjesë e ‘Portokallisë’, janë të mirëpritur,” përfundoi Agron Llakaj.

Premiera e spektaklit është caktuar më 2 tetor për publikun që do të ndjekë shfaqjen nga afër në sallë dhe më 4 tetor për teleshikuesit në Top Channel.

Të Ngjashme