Një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Tapizë–Fushë-Krujë, në vendin e quajtur “Arrameras”.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, rreth orës 16:50, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Mjetet drejtoheshin nga shtetasi K. C., rreth 44 vjeç, dhe shtetasi M. S., rreth 18 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vend pasagjeri që udhëtonte në automjetin e 18-vjeçarit, i identifikuar si shtetasi egjiptian E. A., rreth 22 vjeç.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi M. S., ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital, ndërsa bëhet e ditur se ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
