Një zjarr i përmasave të mëdha është përhapur me shpejtësi, i favorizuar nga erërat e forta ka përfshirë fshatin Piraj të Lezhës.
Situata paraqitet mjaft problematike, ndërsa flakët kanë cenuar drejtpërdrejt zonat e banuara, ndërsa deri më tani konfirmohet se nga zjarri janë përfshirë dy banesa, si dhe një kasolle për bagëtitë.
Rreziku mbetet i lartë edhe për shtëpitë e tjera përreth, si dhe për kishën e fshatit, ku flakët po i afrohen me shpejtësi.
Për të përballuar emergjencën, në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse nga disa bashki. Përveç mjeteve të Lezhës, në ndihmë kanë mbërritur trupa mbështetëse nga Vau i Dejës, Kamza dhe Mirdita, të cilat po punojnë intensivisht për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e strukturave të banimit.
Për shkak të intensitetit të flakëve dhe erës së fortë që vështirëson operacionin nga toka, në ndihmë të efektivëve po vijon edhe ndërhyrja nga ajri.
