Ka shkuar në dy numri i viktimave nga aksidenti i rëndë që ndodhi pasditen e sotme, 22 korrik, te rrethrrotullimi i TEG-ut, në Unazën e Madhe, ku një kamion pompë betoni çau barrierat metalike mbrojtëse dhe ra në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Burime bëjnë me dije se, pas drejtuesit të mjetit që humbi jetën në vendngjarje, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës edhe njëri prej të plagosurve, i cili ishte pasagjer në kamion.
Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur, ndërsa dyshohet se ai dhe shoferi ishin shtetas egjiptianë.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe 28 vjeçari, shoferi i Audi-t, Roland Nuri, i cili ndodhet në spital në gjendje stabël.
