Lajme

Berisha kërkon përgjegjësi institucionale për rastet e dhunës ndaj grave

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka folur për protestat e organizuara pas rastit të Arlinda Zekajt, duke theksuar se reagimi qytetar duhet të shërbejë për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet dhe për të ndryshuar mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës ndaj grave.

Ajo ka thënë se përgjegjësia institucionale nuk duhet të kufizohet vetëm në reagimet e ditëve të para pas një rasti, por duhet të shndërrohet në praktikë të vazhdueshme.

“Ne shpresojmë se ky ka qenë edhe është qëllimi i reagimit qytetar që t’i mbajmë institucionet përgjegjëse, jo vetëm gjatë këtyre ditëve kur ne jemi në rrugë dhe kur ngjarja është ende në kujtesën tonë, por kjo të jetë praktikë  të ndryshojmë praktikat në trajtimin e rasteve. Duhet të ketë ndjekje penale. Le të na tregojë prokuroria se a ka pasur aty hapësirë edhe për ndëshkim për mosveprim. Dhe që kjo të shndërrohet, do të thotë, nëse kjo konsiderohet vepër penale, të ndërmerren edhe masat adekuate për mosveprim në rastet e dhunës ndaj grave”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka ngritur shqetësimin për rikthimin e zyrtarëve policorë në vendet e punës pas suspendimit, duke vlerësuar se mungesa e ndëshkueshmërisë së duhur mund të ndikojë në tolerimin e dhunës dhe në mosmbrojtjen e grave nga institucionet përgjegjëse.

“Kemi parë raste që policët pas 2-3 muajve janë rikthyer në vendin e punës, e ne mendojmë që me këto praktika pak a shumë vetë shteti po e toleron dhunën, po e promovon atë duke mos pasur ndëshkueshmëri proporcionale, qoftë për ushtruesit e dhunës, por qoftë edhe për ata zyrtarë të cilët kanë obligim ligjor me i mbrojtur gratë, por që kanë dështuar me i mbrojtur gratë”, ka thënë ajo.

Të Ngjashme