Lajme

Aktakuzë ndaj një personi për sulm ndaj KFOR-it dhe veturave të mediave në Zveçan në vitin 2023

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj A.S., për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023 nga ora 06:00 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku ndodhet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri A.S., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në grupin e personave në kryerjen e këtyre veprave penale.

“A.S., akuzohet se në bashkëkryerje, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri. Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe së paku 30 (tridhjetë) pjesëtarë të KFOR-it, 3 (tre) prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda. Gjatë këtij sulmi po ashtu, janë sulmuar edhe veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e plotë të sulmit të 29 majit, ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.

Të Ngjashme