Aktorja e njohur turke Serenay Sarıkaya dhe këngëtari Mert Demir janë kthyer sërish në kryefjalën e mediave rozë. Çifti, i cili është në një lidhje prej kohësh, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me një vallëzim romantik gjatë një mbrëmjeje gala, duke u kthyer menjëherë në hit në rrjetet sociale.
Dyshja ishte e pranishme në festën e organizuar për sezonin e ri të serialit “Kimler Geldi Kimler Geçti”, ku Serenay luan rolin kryesor. Gjatë mbrëmjes, kur Mert Demir u ngjit në skenë për të interpretuar këngën e tij hit “Gözlerime Bak”, çifti dhuroi një performancë vallëzimi shumë intime dhe plot ndjenjë, duke u bërë qendra e vëmendjes për të gjithë të pranishmit.
Serenay Sarıkaya nuk ka ngurruar t’i ndajë këto momente lumturie edhe me ndjekësit e saj të shumtë. Ajo publikoi së fundmi disa fotografi, ku spikaste një pozë mjaft e afërt brenda një makine, e cila mori miliona pëlqime dhe komente brenda pak orësh. Fansat e çiftit kanë shpërthyer në komente pozitive, duke vlerësuar harmoninë dhe kiminë e tyre natyrale.
