Thirrjes për seancë nuk iu përgjigjën.
Madje as ndërprerja, për t’a vazhduar në mesditë, nuk bindi opozitën të vijnë në sallën plenare.
Zgjedhja “karate” e presidentit siç thanë PDK-ja, rrezikon rendin kushtetues në vend.
“Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dua të apeloj te partia në pushtet, që t’i ndërpresë këto veprime karateje të dhunës politike, sepse ky nuk është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit”, ka thënë Çitaku.
Në të njëjtën linjë janë edhe në AAK, që thonë se kjo seancë s’është gjë tjetër veçse sulm ndaj institucionit ligjvënës.
“Nuk mundet dhe nuk duhet të legjitimohet logjika “parti-shtet”, për shkak se ne nuk jemi në një sistem monist, njëpartiak, por jemi në një demokraci parlamentare e cila kërkon vetëdije dhe përgjegjësi demokratike”, u shpreh tutje Tahiri.
E ai që e bëri të famshme fjalën “karate”, deputeti Naim Bardiqi, e arsyetoi si bisedë mes miqsh, teksa edhe kërkoi falje.
“Thonjëzat janë ato që nuk mund ta konsideroni që është dhënë një epitet. Është bisedë mes miqsh edhe është me sarkazëm e përdorur, mirëpo nuk ka të bëjë me seriozitetin e procesit as me gjëra të tjera”, theksoj Bardiqi.
Pushteti pati arsyetim edhe për seancën që nisi pa opozitën.
“Procesi i votimit me votë të fshehtë e lejon mundësinë që deri në përmbyllje të procesit mund të marrin pjesë të gjithë deputetët që janë të interesuar dhe duhet të votojnë, në momentin që u pa që nuk janë 81 vota në kuti kryetarja e ndërpreu seancën”, ka thënë Nagavci.
Sidoqoftë, opozita duket e prerë në vendime.
Madje si PDK ashtu edhe AAK-, kërkuan që e propozuara për presidente nga Vetëvendosje, Feride Rushiti, të dorëhiqet nga kandidatura, për siç thanë të mos bëhet vegël e Kurtit.
“I bëj thirrje zonjës së nderuar, Feride Rushitit, që të tërhiqet nga kjo lojë politike, antikushtetuese e Albin Kurtit, e cila është e dëmshme për shtetin dhe atë vetë”, ka thënë tutje Çitaku.
“Doktoresha Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për shkak se po bëhet pjesë e një procesi të mundimshëm politik, i një procesi i cili është duke e rrënuar rendin kushtetues”, ka thënë tutje Tahiri.
Qëndrim tjetër nuk patën në partinë që ofruan nënshkrimet për Vjosa Osmanin.
Kreu i LDK-së tha shkurt se çështja e osmanit s’është diskutuar fare me pushtetin.
E nëse nuk ka marrëveshje deri në mesnatë, kuvendi përfundimisht shpërbehet e vendi shkon në zgjedhje.
