Lajme

ALARM në vendin fqinj! 6 të vdekur nga virusi i Nilit Perëndimor, 51 persona të infektuar

Shkon në gjashtë numri i viktimave nga virusi i Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut. Një 72-vjeçar nga Shkupi ka humbur jetën në spital, pasi ishte infektuar me virusin dhe kishte qëndruar i shtruar për më shumë se dy javë.

Vdekja e tij vjen në një kohë kur autoritetet shëndetësore po përballen me një rritje të shpejtë të rasteve. Deri tani janë konfirmuar 51 persona të infektuar, pjesa më e madhe në zonën e Shkupit.

Të prekurit janë kryesisht persona mbi 60 vjeç, ndërsa në disa raste infeksioni ka shkaktuar komplikacione të rënda neurologjike, përfshirë encefalitin dhe meningjitin.

Situata ka marrë përmasa shqetësuese për shkak të ritmit të përhapjes së virusit. Në fund të korrikut ishin evidentuar vetëm tetë raste, ndërsa brenda pak javësh numri është rritur në 51.

Ky konsiderohet një nga shpërthimet më serioze të virusit në vend që prej vitit 2011, kur u regjistruan rastet e para të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut.

Përballë situatës, autoritetet kanë shpallur gjendje epidemie në disa komuna të Shkupit dhe kanë shtuar masat për kontrollin e mushkonjave, të cilat transmetojnë virusin, si dhe monitorimin epidemiologjik.

Të Ngjashme