Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka zhvilluar një takim me ministrin e Teknologjisë së Informacionit, Komunikimit dhe Inovacionit të Republikës së Mauriciusit, Dr. Avinash Ramtohul.
Takimi u mbajt në Seul të Republikës së Koresë, në margjinat e samitit Global AI and Digital Summit 2026.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, gjatë takimit, të dy ministrat shkëmbyen përvoja lidhur me zhvillimet dhe prioritetet e Kosovës dhe Mauriciusit në fushën e transformimit digjital, inteligjencës artificiale dhe inovacionit teknologjik.
Ata diskutuan edhe për sfidat e përbashkëta në avancimin e këtyre fushave, duke u fokusuar në zhvillimin e zgjidhjeve digjitale, ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e teknologjive të reja.
Takimi shërbeu gjithashtu për identifikimin e fushave me interes të përbashkët dhe mundësive për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mauriciusit.
Të dyja palët ndanë perspektivat e tyre për shfrytëzimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve publike.
