Lajme

Aleanca refuzon ftesën e Kurtit për takim me partitë opozitare

Aleanca ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim me tre kryetarët e partive opozitare.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka publikuar edhe përgjigjen zyrtare të subjektit politik dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në letrën drejtuar Kurtit thuhet se qëndrimi i Aleancës mbetet ai i shprehur më 26 qershor, duke e cilësuar atë si të qartë, parimor dhe publik.

Sipas letrës, Aleanca ka bërë të ditur se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pa kushte apo kërkesa vetjake, nëse mandatari për formimin e Qeverisë pranon gjashtë pikat e ofertës së këtij subjekti politik.

“Më datën 26 qershor kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të Kosovës.Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit-es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë I pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Duke pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën dërguar Kurtit.

Aleanca ka deklaruar se oferta e saj synon zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe shmangien e një procesi të ri zgjedhor.

“Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, dhe njëkohësisht të mos dërgojë edhe njëherë vendin në zgjedhje”, theksohet në letër.

Ndryshe, kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe të Aleancës, Ardian Gjini, për të diskutuar për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Ftesa është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

“Po, sot në mëngjes Kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK, LDK dhe AAK”, ka thënë Manxhuka./teve1.info/

Të Ngjashme