Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu priti ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolf.
Me këtë rast bënë homazhe në Memorialin e Reçakut. Njëherësh vizituan çerdhen e re në Godanc , klubin e volejbollit të vajzave “Vjosa” dhe Parkun NRW në Davidovc.
Kryetari Aliu e falënderoi ambasadorin Rudolf për urat e bashkëpunimit që vazhdojnë të forcohen.
Postimi i plotë:
Ishte kënaqësi e veçantë që sot në Shtimen tonë të mirëpresim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolf.
Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga miqtë më të mëdhenj e më besnikë të Kosovës, dhe për këtë populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e dhënë para, gjatë dhe pas luftës.
Së bashku me ambasadorin bëmë homazhe në Memorialin e Reçakut, ku shprehëm respektin, mirënjohjen dhe nderimin më të thellë për 45 civilët e pafajshëm të vrarë në këtë masakër. Pastaj vizituam çerdhen e re në Godanc ku na pritën me ngrohtësi fëmijët e fshatit, ndërsa vazhduam te klubi i volejbollit të vajzave “Vjosa”, ku pamë nga afër punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të gjeneratave të reja. Vizitën e përmbyllëm në Parkun NRW në fshatin Davidovc, një tjetër simbol i partneritetit dhe miqësisë së ndërtuar ndër vite.
Si Komunë e Shtimes, jemi të lumtur që këtë partneritet po e shtrijmë edhe në nivel lokal, përmes bashkëpunimit me Qarkun UNNA, falë angazhimit të deputetit Hartmut Ganzke, njëkohësisht edhe qytetar nderi i komunës sonë, të cilin e falënderojmë për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj kësaj lidhjeje të veçantë.
Faleminderit Ambasador Rudolf për vizitën dhe për vëmendjen që i kushtuat komunës sonë sot. Mirëpresim që këto ura bashkëpunimi të vazhdojnë të forcohen edhe më tej.
