Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë, partitë politike po hyjnë në një fazë vendimtare të përgatitjeve të tyre elektorale, ku vëmendja kryesore është përqendruar te hartimi i listave të kandidatëve për deputetë.
Brenda subjekteve politike po zhvillohen diskutime intensive dhe shpeshherë debate të brendshme lidhur me përbërjen e këtyre listave, pasi ato konsiderohen si një nga faktorët kyç që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor dhe në besimin e qytetarëve ndaj partive.
Një nga dilemat më të mëdha që po dominon këto diskutime është nëse partitë duhet të vazhdojnë të mbështeten te figurat tradicionale dhe strukturat ekzistuese, apo të hapin rrugë për kandidatë të rinj që mund të sjellin energji, ide dhe qasje të reja në politikë.
Përkrahësit e rifreskimit të listave argumentojnë se qytetarët po kërkojnë ndryshim, transparencë dhe përfaqësim më modern, prandaj përfshirja e profesionistëve të rinj, grave dhe të rinjve nga fusha të ndryshme do të mund të rriste besueshmërinë e partive dhe të motivonte pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Faton Mehmeti.

Faton Mehmeti
Ai thotë se partitë politike duhet të sjellin ndryshime reale dhe figura të reja me vizion të freskët, jo vetëm të riciklojnë politikanë të vjetër duke i kaluar nga një parti në tjetrën për të krijuar përshtypjen e rreme të reformës.
Duke vazhduar përmend edhe aderimin e Dërgutit në PDK.
“Rifreskimi i listave zgjedhore është i nevojshëm, por jo vetëm sa për sy e faqe. Qytetarët e kuptojnë kur partitë po sjellin emra të rinj me ide e energji të re, dhe kur thjesht po riciklojnë figura që kanë qenë pjesë e skenës politike prej vitesh.
Në vend se të shohim reforma të vërteta, shpesh po shohim lëvizje të emrave nga një parti në tjetrën, të cilat vështirë se mund të quhen prurje të reja. Shembulli i aderimit të Aida Dërgutit në PDK është një rast që ka hapur debat pikërisht për këtë çështje. Nuk mjafton vetëm ndryshimi i logos partiake për të bindur qytetarët se po vjen një frymë e re politike”, u shpreh ai.
Në fund, analisti nënvizon që qytetarët fitojnë më shumë besim te partitë kur ato promovojnë njerëz të ndershëm, profesionistë dhe figura të pakonsumuara politikisht, sepse vetëm ndryshimi i emrave pa ide, meritë dhe rezultate konkrete mbetet thjesht propagandë pa ndikim pozitiv.
“Besimi i qytetarëve rritet atëherë kur partitë u japin hapësirë njerëzve me integritet, profesionistëve dhe figurave që nuk janë konsumuar politikisht. Vetëm emrat e rinj nuk garantojnë sukses, por një kombinim mes energjisë së re, meritokracisë dhe ideve konkrete mund ta bëjë përfaqësimin në Kuvend më efekt.Ndryshe kemi vetëm pompozitet por pa gjëra pozitive”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.
