ShowBizzz

Arbana Osmani thyen heshtjen për protestat, mesazh të drejtpërdrejtë Ramës

Moderatorja Arbana Osmani ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke i drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi të gjatë në Instagram, Osmani ka shpjeguar se kishte zgjedhur të qëndronte në heshtje gjatë ditëve të fundit për të kuptuar më mirë situatën, duke theksuar se ngjarjet që po ndodhin në vend nuk duhen trajtuar si një spektakël televiziv apo si mundësi për të fituar vëmendje në rrjetet sociale.

“Kam zgjedhur të hesht këto ditë, për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh; sepse mendoj se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një reality show që duhet komentuar me tifozllëk nga divani i shtëpisë, as një mundësi për t’u shfaqur populiste me statuse për më shumë likes në Instagram. Duhet kuptuar, për të reaguar”, shkruan ajo.

Moderatorja është ndalur veçanërisht te të rinjtë që kanë dalë në protestë, duke shprehur shqetësimin për dhunën dhe përplasjet e raportuara gjatë tubimeve.

“Si një nënë e 3 fëmijëve, më dhemb të shoh të rinjtë e pashpresë, disa prej tyre në moshën e djalit tim, të rrihen dhe lëndohen duke marrë dhunën si të vetmen përgjigje për kërkesat e tyre legjitime, ashtu siç më dhemb të shoh Tiranën të digjet për të disatën herë në këto 30 vite”, shprehet Osmani.

Ajo ka dënuar përdorimin e dhunës nga të dyja palët, si nga efektivët e policisë ndaj protestuesve, ashtu edhe nga personat që dëmtojnë institucionet dhe bizneset gjatë protestave. Kritika ka pasur edhe për ata që, sipas saj, justifikojnë dhunën përmes postimeve në rrjetet sociale.

“Unë nuk kam besuar dhe nuk besoj kurrë se dhuna është zgjidhja”, thekson moderatorja.

Në përfundim të reagimit, Arbana Osmani i është drejtuar kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të dëgjojë qytetarët dhe shqetësimet e tyre.

“Por si qytetare e këtij vendi ku kam vendosur të rris fëmijët e mi, sot më shumë se kurrë ndjej t’i them me zë të lartë kryeministrit: ‘Mjaft; respekto popullin tënd, dëgjoje’.”

Postimin e saj, moderatorja e ka mbyllur me fjalët: “Askush nuk e meriton këtë.”

Të Ngjashme