Është 10 qershori i vitit 1999.
Lajmi se vendi është në prag të çlirimit, arriti tek ushtarët e UÇK-së.
Pas betejave, luftëtarët e Brigadës 161” Ahmet Kaçiku” mblidheshin në odat e Zonës Operative të Nerodimës.
E njëra nga to, ishte edhe kjo në këtë odë në Petrovë të Shtimes.
Por edhe në ditët e fundit të luftës, morali i ushtarëve duhej të mbahej lart.
Për këtë përmes një monologu atë ditë, u përkujdes ish-ushtari i UCK-së, Bedri Pajaziti.
E 27 vjet pas luftës, prapaskenat e këtij momenti, vet Pajaziti i ndau me Tëvë1.
“Ka qenë një organizim thuajse spontan i ushtarëve të UÇK-së… Përveç recitimeve, humorit, aty edhe kemi këndu e vallëzu, e unë kam pasë pak më shumë prirje me recitu edhe e kam pasë një poezi që e kam recitu para ushtarëve, bashkëluftëtarëve të mi aty”, tha Pajaziti.
Si 19-vjeçar në luftë, Pajaztiti thotë se e kuptoi se pas betejave, ushtarët kishin nevojë edhe për momente argëtimi.
“Aty në atë organizim përveç manifestimit, edhe rrëfenim me njëri-tjetrin sepse nuk dijshim se çfarë na prisnin ditët e ardhshme, a do të jemi plotësisht të lirë, a do të marrim informata për familjarët tonë, shokët që nuk i kishim takuar gjatë luftës, thjesht rrëfimet ishin njëri-tjetrit krejt këto tema se ku do të shkojmë, çka do të bëjmë, si do ta presim ditën e lirisë, ditën e takimeve me familjarë, shokë e miq”, theksoi Pajaziti.
Por, liria për të cilën u luftua, Bedri Pajaziti thotë se u zbeh.
Krejt kjo, pas aktgjykimit dënues në Hagë, ndaj ish-krerëve të UCK-së.
“Jemi pak të shqetësuar me situatën e krijuar, me lidert tanë që janë në Hagë që është duke iu bë një padrejtësi dhe tendenca e vendeve që dëshirojnë t’a bëjnë, t’a zhvlerësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të vendosin terme të ndryshme për t’a humbur edhe shtetësinë e Kosovës e vlerën e UÇK-së, mirëpo jashtëzakonisht është diçka një zemër e madhe kur e sheh një mobilizim të jashtëzakonshëm sidomos të gjeneratës së re që e mbron vlerën e UÇK-së”, deklaroi Bedri Pajaziti.
Vet Pajaziti operonte në Zonën Operative të Nerodimes në kompaninë 3 të kësaj Brigade.
Ndërsa dy ditë pas kësaj poezie, kjo zonë e shënoi edhe Ditën e Çlirimit.
