Kuriozitete

Brataj për RTSH 24: Ambulancat janë dëmtuar dhe bllokuar gjatë protestës. Ato nuk përfshihet në asnjë aktivitet tjetër, përveç jetës së qytetarit

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, ka dhënë detaje mbi situatën shëndetësore pas përplasjeve gjatë protestës në Tiranë, duke konfirmuar se disa persona janë paraqitur në spitalet e kryeqytetit, ndërsa ekipet e urgjencës janë përballur me vështirësi në ndërhyrjet në terren.

Në një komunikim telefonik për RTSH 24, Brataj sqaroi gjendjen e një protestuesi që humbi ndjenjat në bulevard, duke theksuar se qytetari nuk ishte në rrezik për jetën dhe se parametrat shëndetësorë ishin brenda normës.

“Rasti i fundit që ishte te bulevardi, që po shikonim edhe nëpër media, nuk ka rrezik për jetën. Edhe ky person ka shkuar te Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, parametrat jetësorë në normë, personi është shëndoshë, kështu që nuk ka rrezik për jetën”, tha ai.

Brataj ngriti shqetësimin për dëmtimin e autoambulancave gjatë protestës, duke bërë të ditur se një prej mjeteve të reja është dëmtuar rëndë. Sipas tij, përveç dëmeve materiale, ekipet mjekësore janë përballur edhe me bllokimin e rrugëve, çka ka vështirësuar mbërritjen në kohë te personat që kanë pasur nevojë për ndihmë.

“Njërën nga ambulancat e reja e kemi shumë të dëmtuar, por veç ambulancës është edhe dëmtimi i ekipeve që janë në to. Siç e keni parë dhe siç do t’i shikoni gjithmonë, ekipet tona janë pa maska, me fytyrën e zbuluar, me uniformën e Urgjencës Kombëtare. Çdo autoambulancë që ka logon e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe numrin 127 është e identifikueshme”, tha ai.

Brataj hodhi poshtë pretendimet se ambulancat mund të përdoren për qëllime të tjera jashtë misionit të tyre, duke garantuar se ato janë në shërbim vetëm të ndihmës mjekësore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për protestues, punonjës policie apo qytetarë të tjerë.

“Garantoj që ne nuk përfshihemi në asnjë lloj aktiviteti tjetër, veç kësaj që sapo thashë. Nëse ka ndonjë dyshim, mund ta ndalojnë ambulancën, ta shohin dhe të mos e dëmtojnë e të mos e vonojnë, sepse mund të kushtojë jetë njerëzish”, u shpreh Brataj.

Sa i përket kapaciteteve të shërbimit, Brataj theksoi se Urgjenca Mjekësore ka angazhuar mjete dhe personel shtesë për të përballuar situatën e krijuar nga protestat, pa ndërprerë shërbimin e zakonshëm për qytetarët e Tiranës.

“Shërbimin e zakonshëm nuk mund ta ndërpresim. Tiranës i duhen çdo ditë rreth 500 vizita, veç thirrjeve dhe konsultave të tjera mjekësore. Për protestën janë vënë mjete të reja, janë thirrur ekipet që janë jashtë shërbimit për të mbuluar këtë situatë”, tha ai.

Megjithatë, drejtori i Urgjencës pranoi se gjatë pasdites janë regjistruar vonesa në ofrimin e ndihmës mjekësore, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe vështirësive për të hyrë në zonat ku ndodheshin personat e lënduar. Ai theksoi se edhe personeli mjekësor është përballur me rrezikun e goditjes nga gurët gjatë ndërhyrjeve.

“Në këto momente, sidomos këtë pasdite, ka pasur vonesa për arsye të bllokimit, të kontrollit me imtësi dhe të dëmtimit të mjeteve. Ka pasur edhe goditje me gurë pothuajse ndaj personelit, i cili përbëhet nga mjekë, infermierë dhe shoferë. Janë profesionistë, janë qytetarë, janë prindër që i presin fëmijët në dark”, tha Brataj.

Brataj u bëri thirrje protestuesve që të mos pengojnë lëvizjen e autoambulancave dhe të lejojnë kalimin e tyre, duke nënvizuar se në çdo moment ato mund të jenë duke iu përgjigjur një thirrjeje për ndihmë nga vetë pjesëmarrësit në protestë.

Në lidhje me gjendjen e dy efektivëve të fundit të policisë që u transportuan drejt Spitalit të Traumës, ai tha se, deri në momentin e komunikimit, nuk kishte raportime për dëmtime që rrezikonin jetën, ndërsa ata po i nënshtroheshin ekzaminimeve.

“Fatmirësisht, deri tani nuk kemi raportime për rrezik për jetën. Nuk rezultojnë dëmtime të rënda që të rrezikojnë jetën dhe janë drejt ekzaminimeve”, tha ai.

Të Ngjashme