ShowBizzz

Ariana Grande përlotet në mbrëmjen e fundit të turneut: Njerëzit kanë nevojë të vendosin kufij dhe të pushojnë

Ariana Grande u ka dhënë fansave një lamtumirë të ndjerë pas përfundimit të turneut “Eternal Sunshine”, ndërsa përgatitet të marrë një periudhë pushimi nga jeta publike.

Të lidhura

None found

Natën e fundit të turneut, këngëtarja amerikane dhe aktorja e “Wicked” performoi në O2 Arena në Londër. Gjatë mbrëmjes, mes lotësh, ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe çastet e veçanta që fansat i kishin dhuruar në koncertet e saj.

“Doja vetëm t’ju falënderoja shumë”, u tha Grande të pranishmëve, duke marrë në këmbim duartrokitje dhe brohoritje të fuqishme. Ajo i kushtoi një falënderim të veçantë publikut për 10 shfaqjet e zhvilluara në Londër dhe për 41 koncertet e turneut “Eternal Sunshine”.

Këngëtarja e cilësoi këtë etapë si “një nga përvojat më të bukura dhe të jashtëzakonshme të jetës sime”, duke thënë se do ta ruajë gjithmonë me vlerësim.

“Kam fansat më të mirë në të gjithë botën dhe gjithmonë i kam pasur. Më pëlqejnë veshjet tuaja. Më pëlqejnë fytyrat tuaja. Më pëlqen t’ju shoh dhe më pëlqen të lidhem me ju në këtë mënyrë”, deklaroi ajo.

Se Grande do të largohej përkohësisht nga vëmendja publike ishte njoftuar muajin e kaluar. Sipas një përfaqësuesi të saj, këngëtarja do ta mbyllte turneun “me një notë të lartë”, përpara se të merrte një “pushim shumë të merituar nga puna dhe paraqitjet publike”.

Krahas kësaj, Grande hoqi dorë nga roli kryesor në produksionin londinez të veprës së Stephen Sondheim, “Sunday in the Park with George”. Në këtë shfaqje ajo do të interpretonte së bashku me Jonathan Bailey, bashkë-yllin e saj te “Wicked”, i cili gjithashtu u largua më vonë nga produksioni.

Tërheqja e përkohshme vjen pas një periudhe të gjatë në qendër të vëmendjes, gjatë së cilës këngëtarja është përballur edhe me komente të shumta lidhur me pamjen e saj.

Megjithatë, Grande ka mohuar se vendimi për të bërë një hap pas është marrë si pasojë e kritikave.

Gjatë një performance në Çikago, ajo tha se kishte dëgjuar shqetësimet e fansave, të cilët mendonin se negativiteti po ndikonte tek ajo, por sqaroi: “Duhet të them se nuk mund të jetë më e kundërta”.

Më tej, këngëtarja shtoi: “Duhet të vendosen kufij, qeniet njerëzore mund të kenë nevojë për një pushim ndonjëherë.”

Grande ka sqaruar se largimi i saj nuk është një zgjedhje e çastit, por një vendim që e kishte menduar dhe planifikuar prej kohësh.

Të Ngjashme