Lajme

Arifi: Nuk besoj në partneritet me Kurtin, synon t’i kthejë partitë në Guxo e Alternativë

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka komentuar situatën aktuale politike në vend dhe mungesën e një zgjidhjeje për formimin e institucioneve pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

I ftuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Arifi ka folur edhe për ofertën e bërë publike nga Alenca për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim tejkalimin e ngërçit institucional dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, Aleanca kishte shprehur gatishmëri për takim, nëse LVV-ja do të kishte nevojë për votat e saj.

“Në letrën që kemi bërë ne, kemi thënë se nëse ju nevojiten votat tona, mund të na ftoni në takim dhe të diskutojmë për ato gjashtë beneficione për qytetarët. Por ai nuk na ka thirrur, e ka injoruar të gjithë këtë dhe sot vazhdon të na injorojë dhe të na fyejë”, ka deklaruar Arifi.

Arifi tha se nuk beson në ndonjë partneritet politik me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se synimi i tij është krijimi i subjekteve të reja politike nga partitë opozitare.

“Unë nuk besoj në asnjë lloj partneriteti me Kurtin. Besoj se ai është i interesuar të krijojë një parti nga këto që janë opozitare, një parti si Guxo dhe si Alternativa. Aleanca kurrë nuk do të bëhet kështu, ky është qëllimi strategjik i tyre”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, Kurti synon që subjekte të caktuara politike t’i shndërrojë në forma të ngjashme me Guxo-n dhe Alternativën.

“Ai është i interesuar për një subjekt politik, qoftë PDK apo LDK, për ta kthyer në Guxo ose Alternativë. Unë nuk besoj se ka brumë në ndonjërën nga këto parti politike që Aleanca ndonjëherë në histori t’ia mbajë zhagun Guxos dhe Alternativës, të cilat për mua janë dy parti inekzistente”, ka deklaruar ai.

Arifi ka shtuar se mënyra për zgjidhjen e problemeve politike është përmes marrëveshjeve dhe koalicioneve, siç ndodh edhe në vendet e tjera.

“Nëse duam t’i zgjedhim problemet, në të gjithë botën dihet se si krijohen koalicionet”, ka përfunduar Arifi.

Të Ngjashme