Lajme

Arifi: Ramush Haradinaj do të ishte presidenti më i mirë për Kosovën në këtë fazë

Kandidati për deputet nga Aleanca, Avni Arifi, ka komentuar situatën politike në vend dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se Ramush Haradinaj do të ishte personi më i përshtatshëm për ta udhëhequr vendin në postin e presidentit.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Arifi tha se bindja e tij për Haradinajn nuk lidhet me raportet personale apo përkatësinë partiake, por me vlerësimin që ka për rolin e tij në këtë periudhë.

“Unë mendoj që Ramush Haradinaj, në bindjen time, jo pse kam lidhje personale me të dhe jam bashkëudhëtar me të qe 22 vite, por besoj që është personi më i mirë në këtë fazë për t’i prirë Kosovës si president i shtetit. E kam me bindje të plotë dhe këtë nuk e them sepse është i partisë sime apo për shkak të lidhjeve personale”, ka thënë Arifi.

Ai u pyet edhe për mundësinë që Haradinaj të zgjidhet president në të ardhmen, ndërsa theksoi se ish-lideri i Alenaca gjithmonë i ka bërë publike ambiciet e tij politike.

“Unë nuk besoj se Ramushit mund t’i kontestohet fakti që ambiciet e veta i ka shprehur gjithmonë hapur. Ai ka thënë se synon të jetë kryeministër, ka thënë se synon të jetë president. Por në këto zgjedhje as Aleanca nuk e ka pasur Ramushin kandidat për president”, deklaroi Arifi.

Sipas tij, edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se aktualisht partia nuk e ka kandidaturën e Haradinajt për president dhe se nuk është shprehur ndonjë vullnet konkret në këtë drejtim.

“E ka thënë edhe kryetari i partisë, Ardian Gjini, se nuk e ka kush Ramushin për president dhe as nuk është shprehur vullnet për të qenë president. Mirëpo, ai është një njeri i Kosovës dhe nëse partitë opozitare apo zhvillimet politike në vend e bëjnë të nevojshme një diskutim të tillë, mund të bisedohet. Por në bindjen time, asnjë president më i mirë se Ramushi në këtë fazë nuk mund të jetë”, është shprehur Arifi.

Të Ngjashme