Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, kundërshtarët e tij politikë vijojnë të diskutojnë skenarët e një largimi të mundshëm nga pushteti.
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka paraqitur dy alternativa se çfarë mund të ndodhë në vend nëse Rama vendos të largohet nga drejtimi i qeverisë.
Ai tha se një nga mundësitë janë zgjedhjet e parakohshme, ndërsa alternativa që ai preferon është nisja e një procesi diskutimi mes shoqërisë civile dhe forcave politike.
Sipas tij, një dorëheqje e mundshme e Ramës do të ishte edhe pranim i dështimit nga Partia Socialiste, ndërsa kryeministri nuk do të mund të vijonte as në krye të kësaj force politike.
“Çfarë ndodh nëse Rama jep dorëheqjen? Janë dy opsione. Opsioni i parë: shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Qeverinë do ta formojë parlamenti, me këtë qeveri jo partiake. Unë mendoj se opsioni më i mirë është opsioni i dytë, që Rama të japë dorëheqjen dhe të nisë një konvendim mes shoqërisë civile dhe forcave politike. Vendimet do t’i marrë një parlament ku koka është prerë. Në momentin që Rama jep dorëheqjen, PS-ja e pranon dështimin e saj. Unë mendoj se Rama nuk qëndron as kryetar i PS-së nëse jep dorëheqjen. Një PS e dekapituar dhe një PD e kapitulluar duhet të gjejnë forcë për të diskutuar me partitë e tjera”, tha Qori.
