Lajme

Arrestohen dy persona për mashtrim kompjuterik në Prishtinë – sekuestrohen mbi 48 mijë euro dhe 10 vetura

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale të mashtrimit kompjuterik.

Sipas njoftimit zyrtar, një ditë më parë janë realizuar bastisje në pesë lokacione të ndryshme, konkretisht në dy lokacione në fshatin Samadraxhë të Komunës së Suharekës dhe në tri lokacione në qytetin e Prishtinës.

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar 48,350 euro para të gatshme, dhjetë automjete me vlerë të përgjithshme rreth 1 milion euro, si dhe pajisje të ndryshme elektronike që dyshohet se do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.

Personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa autoritetet e Kosovës po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë.

Të Ngjashme