Lajme

Arrestohet në Londër Korado Gështënja, i kërkuar nga SPAK për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës

Është arrestuar në Londër Korado Gështënja, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe i dyshuar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Gazetarja Xhensila Kodra, bën me dije se arrestimi i Gështënjës është kryer nga autoritetet britanike me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë qëndrimit në Angli, Korado Gështënja dyshohet se përdorte një identitet të rremë, me qëllim shmangien e identifikimit dhe arrestimit nga autoritetet.

Nga dosja e SPAK rezulton se Korado Gështenja ishte pjesë e vëzhgimit dhe më pas rrëmbimit të Jan Prengës. Sipas SPAK, rrëmbimi i Jan Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth.

Hetuesit besojnë gjithashtu se kopshtari i kompleksit “Golden” në Shijak, Festim Bexhdili di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga, i cili pas rrëmbimit u çua në kompleksin “Golden” në pronësi të Altin Hajrit.

Sipas fotove nga kamerat e sigurisë, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën dhe se asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit.

Roli i Dritan Rexhepit

49-vjeçari pukjan u rrëmbye mesditën e 17 janarit të vitit 2020, nga 4 persona në mes të Kamzës, duke u dërguar në një prej resorteve më të njohura në vend dhe më pas trupi i tij u zhduk.

Dritan Rexhepi është akuzuar si organizatori i atij akti brutal dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm.

Rrëmbimin dyshohet se e kanë kryer 4 persona nga Shkodra. Por, mbreti i kokainës ka mohuar përfshirjen në rrëmbimin e Prengës, njohjet me personazhet e krimit, si edhe përfshirjen në atë histori të vjedhjes së drogës në Angli.

Gjithashtu mohoi të njihte Altin Hajrin të zotin e resortit nga ku u zhduk trupi i Prengës. Dritan Rexhepi ka theksuar se në atë kohë gjendej në burg në Guayaquil-i në Ekuador, i dënuar për trafik ndërkombëtar kokaine.

Por, që në krye të herës, u tha se një person me emrin Gramoz nga Vlora, kishte organizuar të gjithë ngjarjen, por ‘Gramozi’ ka mohuar të jetë personi nga Vlora për të cilin flet dosja.

RRËFIMI

“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador. Kam qenë i dënuar 13 vjet për trafik droge. Ju do më pyesni për çështjen apo do me bëni gjyq moral? Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar. Ai doli i pafajshëm. Gentian Doçajn (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen as e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Më ka sjellë avokatja dokumentet nga burgu i Firences, ku thuhet se unë dhe ai nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja. Nga burgimi nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës. Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për vjedhjen e një sasie droge në portin Portsmouth të Londrës”, dëshmoi Rexhepi.

Të Ngjashme