Një 52-vjeçar shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tre vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, është ndaluar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ndalimi u bë i mundur pas një pune të gjatë hetimore dhe bashkëpunimit me disa agjenci federale amerikane, përfshirë Shërbimin e Marshallëve të SHBA-së (USMS) dhe Agjencinë e Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Ftoni është dënuar fillimisht më 28 shtator 2001 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 25 vite burgim për vrasjen e dy shtetasve, Gj. M. dhe A. M., më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës. Sipas vendimit gjyqësor, vrasja ishte kryer për motive gjakmarrjeje.
Më pas, më 18 nëntor 2008, ai u dënua sërish me 25 vite burgim për vrasjen e shtetasit G. T., më 12 gusht 2001.
Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, 52-vjeçari ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe disa identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në mënyrë të paligjshme në SHBA.
Policia e Shtetit bën me dije se vijojnë procedurat në bashkëpunim me autoritetet amerikane për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë për dënimet e dhëna nga gjykatat shqiptare.
