Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar për vjedhje në Mitrovicë të Veriut.
Sipas njoftimit zyrtar, të hënën, hetuesit e Stacionit Policor në Mitrovicë Veri janë përgjigjur një ankese të një viktime, e cila kishte raportuar se rreth tri javë më parë, derisa gjyshja e saj ishte në tretman mjekësor, dikush i kishte vjedhur telefonin nga çanta.
Pas një pune hetimore, i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar, ndërsa gjatë kontrollit tek ai është gjetur edhe telefoni i vjedhur, i cili më pas i është kthyer ankueses.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje”, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit dhe me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbulimin e rasteve kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të personave që kryejnë vepra penale, duke u bërë thirrje qytetarëve që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192.
