Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”.
Sipas njoftimit zyrtar, pas një pune intensive dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është arritur lokalizimi dhe arrestimi i të pandehurit me inicialet M.G., i cili ishte në kërkim.
Ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar dy armë, substanca narkotike si dhe dokumente të falsifikuara, të cilat i dyshuari dyshohet se i ka përdorur gjatë kohës së arratisë për t’iu shmangur identifikimit.
Po ashtu, në kuadër të këtij operacioni është arrestuar edhe një person tjetër, i dyshuar për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale”.
“Prokurori i shtetit me kohë do të vazhdoj ndërmarrjen e veprimeve hetimore të nevojshme, si dhe do të shqyrtoj mundësinë e paraqitjes së kërkesës për ndonjë nga masat për sigurinë e prezencës së të pandehurit në procedurë penale. Prokurori i shtetit do të vazhdoj punën në mënyrë që të gjithë kryerësit e veprave penale të vendosen para drejtësisë”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/
