Lajme

Artan Hoxha zbërthen paktin e prishur Rama-Veliaj, transferimin sekret në burgun e Fierit, rolin e Belinda Ballukut dhe lëvizjet e fshehta të kryebashkiakut nga qelia

Përplasja e egër brenda mazhorancës socialiste ka kapërcyer çdo parashikim politik, duke u kthyer në një përballje pa rregulla mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Gazetari i njohur investigativ, Artan Hoxha ka zbërthyer në podcastin “Okult” në mënyrë të detajuar të gjitha prapaskenat e këtij konflikti të paprecedentë, duke zbuluar lëvizjet sekrete, paktet e thyer, rolin e Belinda Ballukut në kontrollin e fushë-veprimit dhe mesazhet e stilit të Cosa Nostra-s të dërguara në qelinë e burgut.

Prapaskenat

Zanafilla e krisjes së madhe mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt lidhet me nxitimin e kryebashkiakut për të marrë kontrollin e partisë dhe qeverisë përpara se të kthehej në një pasardhës natyral. Sipas gazetarit Artan Hoxha, dyshimet e kryeministrit u zgjuan kur Veliaj kërkoi mbështetje jashtë vendit për të përshpejtuar rotacionin brenda të majtës. “Ata janë paraqitur në dy dekada e gjysmë si vëllezërit siamezë: kur sëmurej njëri, teshtinte tjetri. Sigurisht që Edi Rama është babai politik dhe Erion Veliaj paraqitej si djali politik apo si pasardhësi. Sot ne ndodhemi pikërisht në këtë situatë të cilën nuk e kishim menduar që do të ndodhte kaq shpejt.

Por me sa duket, egoja e madhe që kishte Erion Veliaj drejt pushtetit, fakti që ai nuk priste dot të kthehej në trashëgimtarin natyral të Ramës, por kërkonte ta bënte këtë gjë sa më shpejt të ishte e mundur, madje duke përdorur edhe mbështetje të huaj — të cilën unë mendoj që Edi Rama e nuhati dhe kjo ishte shkaku që e groposi Veliajn…”, deklaroi Hoxha. Situata u përkeqësua gjatë udhëtimit të Veliajt në Uashington menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, ku izolimi i tij politik u bë i dukshëm. Hoxha kujton detajet e atij udhëtimi: “Mbaj mend që para se të arrestohej Erion Veliaj në muajin janar të 2025-ës, ndërkohë që Trump kishte fituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Erion Veliaj nxitoi të vinte në ceremoninë e Presidentit Trump.

Unë kam qenë në Washington në atë ditë kur ka ardhur, mbaj mend edhe linjën: ka ardhur me Austrian Airlines për të marrë pjesë në ceremoni. Kishte siguruar ftesën; atëherë u tha që ishte me një biznesmen, u shfaq në foto pastaj në darkë te lobi i himariotëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës — pra i himariotëve që mbështesin linjën greke, mbështesin Vorioepirin, pra bashkimin e Himarës me Greqinë. Fotot që dolën atje në fakt dolën nga brenda takimit. Nuk besoj që i nxori Erion Veliaj; ato foto dëshmuan se sa e dëshpëruar ishte situata për Erion Veliajn.”

Arrestimi i parë në detyrë dhe funerali politik në Sheshin Skënderbej

Vetëm tre javë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, operacioni i arrestimit të Erion Veliajt u realizua në mënyrë demonstrative në ambientet e Bashkisë së Tiranës, në prani të dhjetëra kamerave mediatike. Sipas gazetarit Hoxha, kjo lëvizje ishte një ndëshkim publik i mirëmenduar. “Në këtë situatë kur Erion Veliaj mori një garanci nga Rama që ai nuk do të prekej, papritmas të hënën e 10 shkurtit të vitit 2025 — pra vetëm 20 ditë pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës — ne pamë një skenë: në qoftë se me Ilir Metën ishte një kamerë e fshehur diku që pozicionohej gjatë kohës së arrestimit, ne pamë një situatë ku policia shkoi dhe ishte arrestimi i parë në detyrë!

Pra arrestimi i parë në detyrë i një zyrtari të këtij niveli; kryetari i Bashkisë së kryeqytetit në Shqipëri është direkt pas kryeministrit, është kandidati për kryeministrin e ardhshëm. Dhe policia u kujdes që kamerat të njoftoheshin, të vinin, dhe ishin të gjitha kamerat. Thjesht u bë një sherr i madh brenda ambienteve të bashkisë sepse policia kërkonte ta nxirrte jashtë me pranga dhe ai refuzonte kategorikisht, dhe njerëzit që e mbështesnin refuzuan kategorikisht duke thënë: ‘s’keni pse vendosni prangat sepse do të hyjë në makinë’”, u shpreh ai. Lëvizja e radhës e kryeministrit ishte marrja e menjëhershme e kontrollit mbi stafin dhe strukturat e bashkisë me një tubim masiv në qendër të kryeqytetit. Hoxha e përshkruan këtë moment si mbylljen e kapitullit të Veliajt: “Dhe çfarë pamë në ditët në vijim?

Që në momentin kur në Sheshin Skënderbej Edi Rama rreshtoi gjithë stafin e bashkisë — Bashkia e Tiranës shkon diku te 10.000 punonjës — ne pamë policinë bashkiake dhe strukturat e tjera të bashkisë të vendosura në shesh. Unë sa e kam parë atë ditë, kam thënë që ky për mua është funerali politik i Erion Veliajt. Edi Rama sapo e dorëzoi Erion Veliajn dhe gjithë ajo ceremoni atje u bë për t’u dërguar mesazh të gjithëve: ‘Tani bashkinë e kam unë dhe e drejtoj unë. Ky zotëri mbaroi punë.’”

Mburoja e Belinda Ballukut ndaj SPAK-ut dhe kontrolli i burgut të Fierit

Ndërkohë që ndaj Veliajt u zbatuan masa të rrepta shtrënguese, trajtimi ndryshoi rrënjësisht kur SPAK vendosi nën hetim zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Rama përdori parlamentin për ta mbrojtur Ballukun nga prangat, ndërsa Veliajn e përdori si baraspeshë publike. “Situata u ndez kur SPAK mori nën hetim zonjën Balluku, dhe për shkak se zonja Balluku u mbrojt nga parlamenti dhe nga Rama — pra nuk u lejua të shkonte në burg dhe nuk u lejua SPAK-u ta arrestonte — për të justifikuar atë që ndodhi me zonjën Balluku, Rama përdori si shembull edhe Erion Veliajn”, shpjegon gazetari. Sipas Hoxhës, zëvendësimi i drejtorit të përgjithshëm të burgjeve me një drejtoreshë të konsideruar si mike të afërt të Ballukut i hapi rrugën transferimit të rrufeshëm të Veliajt drejt Fierit.

“Dhe para se të bënte këtë gjë, Edi Rama e detyroi Drejtorin e Burgjeve të jepte dorëheqjen, Adritik Kupin, dhe në vend të tij vendosi atë që vendosi — këtë vajzën. Flitet që kjo është mike e afërt e Ballukut apo ku ta di unë, ajo ka qenë këshilltare në BKH…Dhe këtu vjen burgu i Fierit, pjesë e qarkut të Fierit, e ne e dimë kush i ka vendosur aty e kush ka dominuar: aty është Belinda Balluku pastaj në skenë. Pra Erion Veliaj u kalua nën kontrollin e njerëzve të Belinda Ballukut tashmë, duke ia dyfishuar kontrollin që i vinte direkt nga Edi Rama.” Transferimi u krye nga forcat speciale të burgjeve pa shkresë paraprake zyrtare dhe vendimi u shpall sekret. Hoxha nëgëllon: “ne shikojmë skuadrën e DAP-it që shkon në burgun e Durrësit pa asnjë lloj shkrese, pa asnjë lloj njoftimi, dhe i thotë personelit të burgut të Durrësit: ‘duam Erion Veliajn’. Dhe drejtori i burgut të Durrësit i thotë: ‘Ore prisni, ç’keni me nxitim? Ta bëjmë gati.’ … Pamë që Drejtoria e Burgjeve, në vend që të justifikonte se përse e transferoi, bën të kundërtën: thotë ‘nuk e japim vendimin sepse vendimi është sekret’.”

Mesazhi mafioz te oborri i burgut dhe izolimi në Sektorin 2A

Pasi mbërriti në Fier, mbi kryebashkiakun e arrestuar u ushtrua një presion i hapur me anë të filmit të familjarëve të tij dhe kushteve ekstreme të izolimit te Sektori 2A me krime ordinere. “Dhe çfarë pamë ne? Në ditën që Erion Veliaj u çua në burgun e Fierit, çuditërisht u lejuan kamerat në burgun e Fierit të futeshin brenda oborrit dhe të filmonin nënën e tij, bashkëshorten e tij, fëmijët e tij! Dhe kjo ishte një lloj… ky është tipik mesazh mafioz! Pra jo thjesht për Erion Veliajn, por për të gjithë të tjerët — pra miqtë apo ata që i kishin ngelur Erion Veliajt, të cilët papritmas ngritën zërin në grupin parlamentar dhe i thanë ministrit: ‘Ore, ke informacion ti pse lëvizi Erion Veliaj?’.

Dhe Edi Rama, duke lejuar kamerat të jepnin atë imazh, u çoi një mesazh të gjithë të vetëve që u rrente mendja se mos Edi Ramës i ka rrëshqitur një çikë terreni për shkak edhe të protestave, dhe u tha: ‘do të përfundoni të gjithë si Veliaj, do t’i shikoni nënat tuaja, gratë tuaja, fëmijët tuaj atje te oborri i burgut, prandaj mblidhni mendjen edhe më qëndroni besnikë, në të kundërt pasojat do të jenë këto që po pëson Erion Veliaj’”, deklaroi me forcë Hoxha. Ndërkohë, kushtet e mbajtjes në Fier u ashpërsuan: “vendosja në sektorin 2A, ku aty ka kryesisht të paraburgosur që janë për krime ordinere, janë për grabitje, për vjedhje, përdhunime, për shpërndarje të lëndëve narkotike, pra të këtij niveli. Dhe për më tepër e çoi në një qeli izolimi fillimisht… Por qelia nuk ka ndarje brenda për tualet; ka vetëm një vrimë atje, janë ato tualetet e vjetra të modelit alla turka që quheshin, dhe ka edhe një krevat dhe asnjë gjë tjetër, dhe nuk u lanë takime Erion Veliajt as me familjarët, jo më me avokatin.”

Takimi i mesnatës i Toni Gogut në orën 22:30 dhe emri i Arbër Hajdarit

Kulmi i prapaskenave klandestine u arrit kur Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili kishte qenë mik personal e pastor që kishte celebruar martesën e Veliajt, u fut i vetëm në burgun e Fierit pas orarit zyrtar për t’i kërkuar dorëheqjen nga bashkia dhe caktimin e Arbër Hajdarit. “Dërgimi i Ministrit të Drejtësisë: së pari, Ministri i Drejtësisë është një mik i Erion Veliajt; së dyti, është një personazh i investuar direkt nga Erion Veliaj — Erion Veliaj e ka pasur kudo me vete atë; së treti, është njeriu që ne pamë te dasma e simbolika që ka ai me Toni Gogun. Mirëpo diabolika e Edi Ramës është kaq ekstreme — pra si njeri pa ndërgjegje që është ai, pa shpirt — sa ai të çon mikun më të ngushtë të mbarojë atë që duhet ta bënte vetë!

Pra të çon atë mik që ti e konsideron më të ngushtë për të të futur thikën pas shpine, dhe e vë edhe në provë mikun tënd të ngushtë për të parë a është me ty apo është me udhëheqësin. Dhe që ky të dëshmojë besnikëri ndaj udhëheqësit, do të bëjë pikërisht këtë gjë: do t’i fusë thikën pas shpine mikut të vet të ngushtë që e ka sjellë deri aty!”, argumentoi Hoxha. Takimi u zhvillua në shkelje të plotë të rregullores ligjore: “Nuk lejohet askush të hyjë pas orës 20:00 në burg… e nxjerr jashtë regjimit të sigurisë dhe perimetrit të sigurisë, dhe në zyrën e drejtorit, pa qenë prezent drejtori, bën një takim kokë më kokë me Erion Veliajn në orën 22:30 minuta!

Pra vetëm kaq mjafton për të kuptuar që kemi të bëjmë me një shkelje ligjore dhe me një gjë e cila nuk ka të bëjë me një bisedë normale.” Erion Veliaj denoncoi se gjatë këtij takimi sekret i ishte kërkuar të tërhiqej dhe të ia linte drejtimin e bashkisë Arbër Hajdarit deri në zgjedhje. Nga ana e tij, kryebashkiaku i izoluar ka refuzuar dorëheqjen duke u mbështetur te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që anulloi zgjedhjet e parakohshme dhe duke ndërmarrë lëvizje për shkarkimin e njerëzve të Ramës brenda bashkisë.

Lufta e shkatërrimit dypalësh dhe taktika “kokat hëngshin”

Përplasja mes Ramës dhe Veliajt tashmë ka dalë tërësisht nga kontrolli, duke ekspozuar mekanizmat e brendshëm të pushtetit. Sipas Artan Hoxhës, denoncimet e Veliajt po tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit. “Erion Veliaj, padashur, për hallin e tij, për hesapin e tij, po na bën një të mirë. Kush është kjo e mirë? Po ekspozon një fytyrë tjetër të Edi Ramës dhe tregoi që Edi Rama i çoi një mesazh mafioz tipik Cosa Nostra në qelinë e burgut, dhe ia çoi me Ministrin e Drejtësisë. Dhe vetëm kaq dëshmon se deri ku ka shkuar Edi Rama. I sheh që kanë heshtur të gjithë, s’flasin dot as ambasadorët, as diplomatët. Çfarë të thonë? Çfarë të thonë, janë kapur me presh në duar, çfarë të thonë!”, tha gazetari Artan Hoxha.

Të Ngjashme