Kuriozitete

“Zero plastikë në luginën e Drinos” – Bizneset dhe komuniteti bashkohen për reduktimin e ndotjes

Lumi Drino mbetet një nga pasuritë natyrore të luginës, por mbetjet plastike të gjeneruara nga aktiviteti i bizneseve dhe jo vetëm, vijojnë të përbëjnë një shqetësim për mjedisin dhe ekosistemin e tij.

Për të minimizuar këtë ndotje dhe për të nxitur një qasje më të përgjegjshme ndaj mjedisit, po zbatohet projekti “Hapi – 0 Plastikë në Luginën e Drinos”. Nisma synon reduktimin e përdorimit dhe hedhjes së plastikës në shtratin e lumit dhe përgjatë tij, duke vendosur në fokus mbrojtjen e faunës së egër, si dhe ruajtjen e vlerave natyrore që mund të shërbejnë edhe në funksion të zhvillimit të turizmit.

“Ne jemi në kuadër të një projekti i cili synon reduktimin e plastikës e cila shpërndahet le të them apo gjenerohet nga sektori Horeka dhe jemi këtu për të parandaluar atë që të shpërndahet në luginën e Drinosit pasi lugina e Drinosit është mjaft e rëndësishme nga pikëpamja natyrore është pjesë integrale e rëndësishme e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe mbart njohje dhe ndërkombëtare për sa i përket ë vlera biologjike që ka në këtë territory”, deklaroi eksperti Kristi Bashmili.

Sipas të dhënave të projektit, bizneset e përfshira kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim dhe për të kontribuar në reduktimin e plastikës. Ndërkohë, në kuadër të kësaj nisme, po punohet edhe me Bashkinë Gjirokastër për krijimin e paketave lehtësuese për bizneset, me qëllim nxitjen e tyre për të adoptuar praktika më miqësore me mjedisin.

“Sot kemi propozuar në fakt dhe kemi bërë dhe një memorandum mirëkuptimi me bashkinë e Gjirokastrës, por kemi diskutuar dhe me këshillat bashkiakë të tjerë që të shikojmë mundësinë e një pakete fiskale më lehtësuese për biznese të cilët angazhohen për të reduktuar sasinë e gjeneruar të plastikës”, shtoi Bashmili.

Reduktimi i mbetjeve plastike në Luginën e Drinos synon jo vetëm përmirësimin e situatës mjedisore, por edhe ndërgjegjësimin e komunitetit dhe bizneseve për rëndësinë e mbrojtjes së kësaj pasurie natyrore.

/RTSH/

Të Ngjashme