Lajme

“Atë që dje e afroi Hashimi, sot e largoi Albin, u pa se i doli timi”, Geci për rrugëtimin e Vlora Hysenit nga AKI-ja te SHISH-i

Veprimtari Halil Geci ka reaguar pas raportimeve për masën e “arrestit në shtëpi” ndaj drejtueses së SHISH-it, Vlora Hysenit, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për dosjen e AKSHI-t.

Geci ka rikujtuar se Hyseni më herët kishte mbajtur poste të larta në AKI të Kosovës, përfshirë atë të zëvendësdrejtoreshës, para se të shkarkohej në vitin 2021 nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Më pas, ajo u angazhua në Shqipëri si këshilltare e kryeministrit Edi Rama për sigurinë kombëtare dhe në vitin 2023 u emërua drejtuese e SHISH-it.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, Geci ka ngritur pikëpyetje mbi rrugëtimin e Hysenit nga AKI-ja në Kosovë deri në drejtimin e SHISH-it dhe hetimin aktual të SPAK-ut.

“Atë që dje e ka afruar Hashimi dhe sot e ka larguar Albin, u pa se i doli timi”, ka shkruar Geci.

Shkrimi i plotë:

VLORA HYSENI: NGA AKI-ja E KOSOVËS TE KREU I SHISH-it – DHE SOT NË HETIMIN E SPAK-ut

Një rrëfim që nis në Kosovë, kalon në Shqipëri dhe sot ka marrë jehonë ndërkombëtare.

Vlora Hyseni, me origjinë nga Kosova, ka lindur në vitin 1984. Ka studiuar Drejtësi dhe ka përfunduar master shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Në vitin 2010 iu bashkua Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku më vonë u angazhua edhe në marrëdhëniet me jashtë.

Në shkurt të vitit 2019 u emërua zëvendësdrejtoreshë e AKI-së nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Nga dhjetori 2020 deri në prill 2021 ushtroi përkohësisht edhe drejtimin e AKI-së.

Pastaj, më 30 qershor 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e shkarkuan nga posti i zëvendësdrejtoreshës së AKI-së.

Një detaj i rëndësishëm është se në vendimin publik nuk u bë e ditur arsyeja konkrete e shkarkimit. Ajo u obligua të dorëzonte materialet dhe pajisjet e institucionit dhe të ruante informacionet e klasifikuara që kishte pasur në dispozicion gjatë detyrës.

Kam ardhur në përfundim se ate që dje e ka afruar Hashimi dhe sot e ka largur Albin u pa se i doli timi.

Pas largimit nga AKI-ja, rrugëtimi i saj vazhdoi në Shqipëri. Në vitin 2021 u angazhua si këshilltare e kryeministrit Edi Rama për sigurinë kombëtare.

Në vitin 2023, Rama e propozoi për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ndërsa presidenti Bajram Begaj e dekretoi në krye të këtij institucioni më 3 prill 2023.

Pra, nga një post i lartë në inteligjencën e Kosovës, Vlora Hyseni kaloi në këshilltare të kryeministrit shqiptar dhe më pas në drejtimin e institucionit kryesor të inteligjencës së Shqipërisë.

Dhe tani, më 22 shtator 2026, historia merr një kthesë të re.

SPAK-u po zhvillon hetime në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ndërsa Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Vlora Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra. Sipas raportimeve, dyshimet përfshijnë edhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.

Rasti ka kaluar tashmë edhe kufijtë e Shqipërisë. Mediat ndërkombëtare, përfshirë Reuters, kanë raportuar për masën ndaj drejtueses së SHISH-it dhe për dyshimet lidhur me nxjerrjen e informacionit të klasifikuar te persona të paautorizuar.

Hetimi lidhet me dosjen e AKSHI-t, ku SPAK po heton edhe zyrtarë dhe biznesmenë për dyshime mbi korrupsionin, fondet publike dhe procedurat e tenderimit.

Këtu shtrohet pyetja:

Si është e mundur që një zyrtare e larguar nga një post i lartë në AKI në Kosovë në vitin 2021, pa u bërë publike arsyeja konkrete e shkarkimit, vetëm dy vjet më vonë të propozohet nga Edi Rama për drejtimin e SHISH-it dhe sot të jetë nën masë sigurie në kuadër të një hetimi të SPAK-ut?

Kjo nuk është çështje për hamendësime dhe as për akuza por është çështje që kërkon dokumente, transparencë dhe një hetim të plotë deri në fund.

Sot nuk mund të nxjerrim përfundime për fajësi, sepse hetimi vazhdon dhe vendimi përfundimtar i takon drejtësisë.

Por një gjë është e qartë:

Nga AKI-ja e Kosovës, te SHISH-i i Shqipërisë dhe tash në një hetim që lidhet me informacionet sekrete të shtetit….

Me këtë rast u pa edhe një herë se kujt ia largon rrugën kryeministri Kurti, më vonë i del era m…

Tani duhet të presim se çfarë do të nxjerrë hetimi.

Jo me hamendësime.

Jo me akuza pa prova.

Por me dokumente, prova dhe të vërtetën deri në fund.

Sepse kur bëhet fjalë për sekretet e shtetit, e vërteta nuk mund të mbetet sekret.

Të Ngjashme