Personat që shihni në foto janë Vinçesk Piroli dhe Kristian Imeri, dy nga tre të arrestuarit para dy ditësh nga Policia, të dyshuar si autorë të një atentati të dështuar në Lezhë.
Ymeri, i njohur edhe me mbiemrin Shkambi, u vu në pranga më 9 tetor, së bashku me Vinçesk Pirolin, 38 vjeç, dhe Elden Tarjen, 25 vjeç.
Sipas Policisë, Ymeri dhe Piroli ishin konstatuar duke lëvizur të armatosur dhe me skafandra në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë. Nga hetimet dyshohet se ata po përgatiteshin të kryenin një vrasje, ndërsa Tarja do të siguronte largimin e tyre nga vendngjarja.
Pas vëzhgimit të lëvizjeve, forcat e Policisë ndërhynë në aksin Gjadër–Barbullush, ku tre personat po udhëtonin me një automjet tip “Volkswagen”.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan tri pistoleta, municione, një automjet dhe një motor që rezultonte i vjedhur në Suedi.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që atentati të ishte porositur kundrejt pagesës, ndërsa identiteti i personit që dyshohet se ishte objektivi nuk është bërë publik.
Po verifikohet gjithashtu një lidhje e mundshme e të arrestuarve me ngjarje të tjera kriminale, përfshirë vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë. Këto dyshime mbeten ende të pakonfirmuara.
