Lajme

Pretendimet e Daçiqit për Prizrenin, analistët zbërthejnë qëllimet e Serbisë

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, duke rikthyer në vëmendje retorikën nacionaliste dhe pretendimet e vazhdueshme të Beogradit ndaj Kosovës. 

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë serbë bëjnë deklarata të tilla, pasi Serbia vazhdimisht përdor diskursin politik për të shprehur pretendimet e saj ndaj Kosovës, pavarësisht realitetit të krijuar pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Ndaj deklaratës së Daçiqit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili ka theksuar se ambiciet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës nuk i përkasin vetëm së kaluarës.

Sipas tij, deklarata e Daçiqit në një tubim zgjedhor, e bërë këtë javë, tregon se synimet territoriale të Beogradit nuk janë çështje e së kaluarës, por vazhdojnë të shfaqen përmes retorikës politike.

“Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës u shfaqën hapur edhe një herë këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiq, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, një qytet në jug të Kosovës. Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit janë larg së qenit një çështje e së kaluarës”, ka thënë Konjufca.

Analistët vlerësojnë se deklarata e Ivica Daçiqit për valëvitjen e flamurit serb mbi Prizrenin pasqyron retorikën nacionaliste dhe synimet elektorale në Serbi. Sipas tyre, deklarata të tilla cenojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kërkohet që Bashkimi Evropian të reagojë dhe të mbrojë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Haziri për deklaratën e Daçiqit: Ëndrrat për flamurin serb mbi Prizren janë thyer më 1999 dhe 2008

Lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, deklaratën e Ivica Daçiqit, e cilësuar si mesazh për konsum të brendshëm politik dhe qëllime elektorale në Serbi.

Image
Nexhat Haziri

Haziri ka thënë se deklaratat e tilla nuk duhen konsideruar domosdoshmërisht si kërcënime serioze ndaj Kosovës.

“Tani, çdo deklaratë që vjen nga çdo zyrtar i Serbisë, sidomos ato që bëhen gjatë fushatave zgjedhore, kujtoj se nuk duhet vlerësuar apo konsideruar edhe si një kërcënim serioz ndaj Kosovës, pra edhe kjo e Daçiqit. Në fund të fundit, ne s’mund t’i kontrollojmë ëndrrat e Daçiqit e asnjë zyrtari tjetër serb, pasi edhe vetë Daçiqi nuk i beson asaj çfarë thotë ai në deklaratën e tij”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, deklarata synon mobilizimin e votuesve serbë nga Kosova që jetojnë në Serbi, ndërsa ka theksuar se pretendimet për flamurin serb mbi Prizren janë thyer nga zhvillimet historike.

“Thjesht, është një deklaratë për konsum të brendshëm politik në Serbi dhe për qëllime elektorale, pasi pasardhësi i Millosheviqit në Partinë Socialiste në Serbi synon që, përmes këtyre deklaratave, të mobilizojë votuesit serbë nga Kosova që tani jetojnë në Serbi. Flamuri serb mbi Prizren e ëndrrat e tjera që mund të shohin Daçiqi dhe të tjerët e kanë marrë përgjigjen në vitin 1999 dhe përfundimisht janë thyer më 17 shkurt të vitit 2008”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, Haziri ka kërkuar reagim të vendosur nga Brukseli, duke vlerësuar se deklaratat e tilla mund të ndikojnë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Por, a kanë ndikim deklaratat e tilla në procesin e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve si dy shtete fqinje? Them se po, dhe në këtë drejtim Brukseli do të duhej të ishte i shpejtë dhe i vendosur në reagimin e vet, edhe si ndërmjetës i procesit të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe natyrisht, politikanë të tillë si Daçiqi edhe t’i sanksionojë”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Deklarata e Ivica Daçiqit është një sfidim i hapur i sovranitetit të Kosovës dhe një sinjal shqetësues për paqen në rajon

Ndërkaq, analisit politik, Eduar Gashi ka vlerësuar se fjalët e një zyrtari të lartë shtetëror serb nuk mund të konsiderohen thjesht si retorikë nacionaliste apo provokim politik, por duhet të analizohen edhe në kontekstin historik dhe të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Image
Eduard Gashi

“Deklarata e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se flamuri i Serbisë “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, nuk mund të trajtohet thjesht si një provokim elektoral apo si retorikë e zakonshme nacionaliste. Kur një deklaratë e tillë vjen nga një përfaqësues i nivelit më të lartë të shtetit serb, ajo merr një peshë krejt tjetër politike dhe diplomatike.

Duhet të kujtojmë se Ivica Daçiq nuk është një figurë e rastësishme në politikën serbe. Ai është një politikan me rrënjë të thella në strukturat politike të epokës së Slobodan Millosheviqit. Prandaj, deklaratat e tij duhen analizuar edhe në kontekstin historik të politikave që sollën luftë, dëbime masive, krime dhe vuajtje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës.

Veçanërisht shqetësuese është se Beogradi vazhdon ta përdorë Kosovën si instrument të mobilizimit nacionalist, në vend që të përballet me realitetin politik dhe historik të krijuar pas vitit 1999.

Republika e Kosovës nuk është një territor që pret të rikthehet nën administrimin e Serbisë. Ajo është një shtet i pavarur, i shpallur më 17 shkurt 2008, me institucione demokratike, me sovranitet dhe me të drejtën e patjetërsueshme për të vendosur vetë për të ardhmen e saj.

Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillimor të vitit 2010, konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare”, ka shpejguar ai.

Gashi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka bërë dallimin ndërmjet vlerësimit juridik të deklaratës së Daçiqit dhe pasojave të mundshme politike e të sigurisë, duke theksuar se retorika e tillë mund të perceptohet si sfidë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Sa i përket pyetjes nëse deklarata e Daçiqit përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Në kuptimin juridik, ajo nuk përbën automatikisht një kërcënim të drejtpërdrejtë për përdorimin e forcës ushtarake. Megjithatë, në kuptimin politik dhe të sigurisë, ajo mund të interpretohet si një mesazh kërcënues ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Në një rajon që ka përjetuar pasojat tragjike të nacionalizmit dhe luftërave, fjalët e zyrtarëve të lartë nuk janë kurrë të parëndësishme.

Serbia ka të drejtë të mbrojë interesat legjitime të komunitetit serb në Kosovë, por nuk ka të drejtë ta përdorë këtë si justifikim për pretendime territoriale apo për të sfiduar sigurinë e një shteti fqinj.

Prizreni nuk është simbol i një projekti të papërfunduar territorial të Beogradit. Prizreni është pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës, qytet i historisë, kulturës, bashkëjetesës dhe i trashëgimisë sonë kombëtare”, ka shtuar ai.

Në vijim, Gashi ka kërkuar që Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë t’i kushtojnë vëmendje deklaratave të tilla, duke theksuar se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të mbështeten në respektimin e sovranitetit dhe në shmangien e retorikës që nxit tensione.

“Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë duhet t’i trajtojnë me seriozitet deklaratat e tilla, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndërtohet mbi kërcënime, pretendime territoriale dhe mohimin e realitetit shtetëror të Kosovës.

Paqja kërkon përgjegjësi politike, respekt të ndërsjellë dhe gatishmëri për të hequr dorë nga retorika e së kaluarës.

E ardhmja e Ballkanit nuk mund të ndërtohet mbi ëndrrat për rikthimin e kufijve të së kaluarës, por mbi respektimin e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit evropian.

Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj drejt lirisë, pavarësisë dhe integrimit euroatlantik. Kjo rrugë nuk mund të përcaktohet nga deklaratat nacionaliste të politikanëve në Beograd”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.

Të Ngjashme