Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas deklaratës së politikanit serb Vojislav Sheshel, i cili ka thënë se “përderisa ushtria serbe nuk kthehet në Kosovë, nuk ka bukë”.
Islami vlerëson se kjo deklaratë pasqyron qëndrimet e spektrit politik në Serbi ndaj Kosovës dhe bën thirrje për forcimin maksimal të kapaciteteve të sigurisë në vend.
Sipas tij, Kosova duhet të fuqizojë Policinë, AKI-në dhe Ushtrinë, duke theksuar se “balanca e forcave ushtarake prodhon paqe dhe siguri”.
Postimi i Islamit:
Reagim me shkas,
Rreth shtatë muaj më parë, presidenti Vuçiç deklaroi se Serbia po pret rrethana të tjera të favorshme që të hyjë në Kosovë me ushtrinë e saj për ta okupuar atë.
Është interesant që pas kësaj periudhe, lajmërohet mësuesi dhe frymëzuesi i Vuçiçit, Vojsllav Shesheli. Ai deklaroi së fundmi se “përderisa ushtria serbe nuk kthehet në Kosovë, nuk ka bukë”. Ky politikan antishqiptar, i cili në vazhdimësi ka bërë thirrje për zhdukjen e shqiptarëve, tregon qartë se çfarë mendojnë dhe planifikojnë ata për ne. Kur bëhet fjalë për Kosovën, i gjithë spektri politik në Serbi mendon njësoj, pa dallim mes pozitës dhe opozitës.
Prandaj, ne duhet të forcohemi maksimalisht në fushën e sigurisë, duke fuqizuar Policinë, AKI-në dhe Ushtrinë e vendit tonë. Nuk thuhet rastësisht se balanca e forcave ushtarake prodhon paqe dhe siguri.
