Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe i Transportit i Kosovës,Dimal Basha, sot në Shkup zhvilloi takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski.
Ndër shumë çështje u diskutua edhe për projektin strategjik të rrugës Prizren–Tetovë dhe tunelit që do t’i lidhë dy vendet tona.
“Projekti Prizren–Tetovë është tashmë në proces, ndërsa ekipet tona teknike janë duke bashkëpunuar në hartimin e projektit. Sot u dakorduam që ky bashkëpunim të intensifikohet, të finalizohet sa më shpejt hartimi i projektit dhe më pas të vazhdojmë me procedurat për kontraktimin dhe realizimin e tij. Ky është një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme, i cili përmes tunelit do ta shkurtojë ndjeshëm distancën ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës, duke krijuar një korridor të ri dhe shumë të rëndësishëm ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Basha.
U diskutua gjithashtu për avancimin e lidhjeve të tjera rrugore dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve, përfshirë autostradën Prishtinë–Shkup, rikthimin e komunikacionit hekurudhor dhe funksionalizimin e një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, “One Stop Shop”.
“Lidhja më e mirë infrastrukturore do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, do të afrojë bizneset dhe do të krijojë mundësi të reja për tregti, investime dhe zhvillim ekonomik në të dyja vendet. Falënderoj Ministrin Aleksandar Nikoloski dhe Zëvendësministren Kaltrina Zekolli-Shaqiri për mikpritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Kemi vullnet të përbashkët që projektet për të cilat kemi diskutuar prej kohësh t’i avancojmë nga planet në realizim konkret”, shtoi Basha.
