Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se në Qendrën Korrektuese të Dubravës është zhvilluar një operacion i zgjeruar bastisjeje me synim forcimin e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda institucionit.
Sipas njoftimit, zyrtarët korrektues kanë kryer kontrolle të detajuara në të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme të qendrës, përfshirë dhomat e të burgosurve, sallën sportive dhe hapësirat e tjera shoqëruese.
Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera korrektuese, si dhe njësiti special K9.
Autoritetet kanë njoftuar se pas përfundimit të operacionit nuk është konstatuar asnjë send i ndaluar apo i kundërligjshëm.
Megjithatë, gjatë kontrollit janë larguar disa sende të panevojshme nga dhomat dhe ambientet e përbashkëta të të burgosurve.
