Për dekada me radhë, Zona 51 ka qenë në qendër të teorive të konspiracionit. Disa besojnë se aty fshihen prova për jetë jashtëtokësore, ndërsa të tjerë pretendojnë se në këtë bazë sekrete u xhirua ulja e njeriut në Hënë. Por çfarë ndodh në të vërtetë në këtë objekt kaq të ruajtur?
Megjithëse ndërtesat e kompleksit të Zonës 51 mund të dallohen në imazhet satelitore, baza nuk shfaqet në hartat publike të qeverisë amerikane. Për dekada, teoricienët e konspiracionit dhe studiuesit e UFO-ve kanë pretenduar se qeveria amerikane e përdor këtë vend sekret në Nevada për të eksperimentuar me jashtëtokësorë dhe anijet e tyre kozmike.
Disa e lidhin Zonën 51 me pretendimet se qeveria fshehu të vërtetën për një incident të vitit 1947, kur thuhet se një mjet fluturues alien u rrëzua pranë Rosuellit, në Nju Meksiko. Të tjerë madje kanë pohuar se ulja e njeriut në Hënë u inskenua pikërisht në shkretëtirën e Nevadës. Këto teori mund të duken të pabesueshme për skeptikët, por nëse nuk janë të vërteta, atëherë çfarë zhvillohet realisht në Zonën 51?
Gjatë viteve, CIA, Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe kompania e industrisë ajrore Lockheed Martin e kanë përdorur Zonën 51 si qendër për testimin e avionëve eksperimentalë, të njohur edhe si “avionë të zinj”.
Sipas dokumenteve të deklasifikuara në vitin 2007, gjatë viteve 1950 dhe 1960 Zona 51 ishte baza e një programi tepër sekret të epokës së Luftës së Ftohtë, të quajtur Oxcart. Qëllimi i tij ishte zhvillimi i një avioni spiun që nuk mund të zbulohej nga radarët dhe që do të përdorej për misione zbulimi përtej Perdes së Hekurt.
Në Zonën 51 u zhvillua më pas avioni A-12 (Archangel-12). Ai ishte në gjendje të fluturonte me shpejtësi mbi 3200 km/h dhe të fotografonte me qartësi objektet në tokë nga një lartësi prej rreth 27,000 metrash. Mes avionëve të tjerë të famshëm të testuar aty janë edhe pasardhësi i tij, SR-71 Blackbird, si dhe avioni luftarak i padukshëm F-117 Nighthawk.
Në fund të viteve 1960, në kulmin e Luftës së Vietnamit, personeli ushtarak filloi të testonte në Zonën 51 avionë të huaj të siguruar fshehurazi. Pilotët provonin këta avionë, ose kopje të tyre të ndërtuara përmes inxhinierisë së kundërt, duke kryer misione stërvitore në hapësirën ajrore mbi Nevadë.
Për njerëzit në tokë, avionët eksperimentalë që fluturonin me shpejtësi mbi tri herë më të madhe se ajo e zërit dukeshin shpesh si mjete fluturuese jashtëtokësore. Kjo ndihmon të shpjegohet pse gjatë viteve u raportuan kaq shumë shikime të UFO-ve në qiellin mbi Nevadë. Këto raportime, të kombinuara me sekretin e madh që rrethonte bazën pranë Liqenit Groom, ushqyen legjendat për Zonën 51 dhe krijuan aurën misterioze që e shoqëron edhe sot.
