Shkencë & Teknologji

BE-ja: Meta të ndryshojë Facebook dhe Instagram për të mbrojtur përdoruesit

Komisioni Evropian ka njoftuar se ka konstatuar paraprakisht se kompania “Meta” ka shkelur Ligjin për Shërbimet Digjitale të Bashkimit Evropian për shkak të mënyrës se si janë dizajnuar platformat Facebook dhe Instagram.

Sipas Komisionit, funksione si lëvizja e pafundme e përmbajtjes, riprodhimi automatik i videove, njoftimet dhe sistemet e personalizuara të rekomandimit nxisin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe mund të krijojnë varësi, veçanërisht te të miturit dhe grupet e cenueshme.

Andaj Brukseli kërkon që Meta të ndryshojë dizajnin e Facebook-ut dhe Instagram-it, duke ç’aktivizuar si parazgjedhje funksione si riprodhimi automatik dhe lëvizja e pafundme e përmbajtjes, si dhe duke futur mekanizma më efektivë për ndërprerjen e përdorimit dhe sisteme rekomandimi më pak të orientuara drejt mbajtjes së përdoruesve sa më gjatë në platformë.

Meta ka të drejtë t’u përgjigjet gjetjeve paraprake të Komisionit.

Nëse ato konfirmohen në vendimin përfundimtar, kompania mund të gjobitet deri në gjashtë për qind të qarkullimit të saj vjetor global.

Ligji për Shërbimet Digjitale, i cili zbatohet plotësisht në Bashkimin Evropian që nga viti 2024, synon ta bëjë hapësirën digjitale më të sigurt dhe t’i mbajë platformat online përgjegjëse për mbrojtjen e përdoruesve./RTK

Të Ngjashme